Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet entuziazmin me të cilin Qeveria e tanishme po promovon realizimin e projekteve strategjike të vendit, siç është Koridori 8, një projekt i jashtëzakonshëm i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, që përfaqëson interes strategjik për Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për aleancën euroatlantike dhe rrjetin e korridoreve trans-evropiane të NATO-s.
Megjithatë, nuk mund të mos theksojmë se pikërisht ata që dikur e sabotonin, e bllokonin dhe e stigmatizonin këtë projekt, sot përpiqen të përvetësojnë meritën për një iniciativë që u mundësua dhe u jetësua falë vullnetit politik, angazhimit institucional dhe vizionit strategjik të BDI-së dhe liderit të saj, z. Ali Ahmeti.
Qytetarët nuk harrojnë se Koridori 8 është rezultat i një beteje të fuqishme politike, në të cilën BDI qëndroi në anën e zhvillimit dhe të integrimit. Ata që sot e shpallin “projekt historik”, janë të njëjtit që dikur e cilësonin si “projekt me krim epik”, e kundërshtonin me ashpërsi dhe e penguan me çdo mjet. Madje një nga vendimet e para të kësaj qeverie pa legjitimitet etnik, ishte anulimi i ndërtimit të tunelit mes Gostivarit dhe Kërçovës, e pastaj duke e bllokuar për muaj të tërë ecurinë e punimeve në terren.
Sot, kur frytet e përpjekjeve të Bashkimit Demokratik për Integrim janë të dukshme, kur punët kanë hyrë në fazën e pandalshme të realizimit, shohim të njëjtët që dje e përqeshnin këtë projekt, të dalin para kamerave dhe të flasin me patetizëm për rëndësinë e tij. E vërteta është se ky projekt mban firmën e BDI-së, si në vizion, si në vendimmarrje, si në investim politik.
Koridori 8 është projekt i BDI-së. Është investim i BDI-së në të ardhmen evropiane të këtij vendi dhe pjesë e pandashme e vizionit tonë për integrim dhe zhvillim të barabartë. Ne i urojmë suksese çdo institucioni dhe çdo faktori që është i përfshirë në përmbylljen e këtij projekti, sepse për ne, rëndësi ka që ai të realizohet për qytetarët, për zhvillimin ekonomik, për lidhjen rajonale dhe për konsolidimin e shtetit multietnik.
Por një gjë është e qartë: pa përkushtimin, guximin dhe vendosmërinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, Koridori 8 do të kishte mbetur vetëm një ide në letër, siç qëndroi për 30 vite. Flaka