Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe hedh poshtë në mënyrë kategorike shpifjet dhe lajmet tendencioze të cilat po përhapen në disa qarqe afër pushtetit, që kanë për qëllim njollosjen dhe diskreditimin personal të funksionarëve dhe aktivistëve tanë politikë në Shuto Orizarë, përfshirë gjoja përfshirjen në incidente të rënda si zjarrvëniet në hapësirat përreth Shkupit dhe Vizbegut.
Këto përpjekje të qëllimshme për manipulim publik paraqesin një sulm të drejtpërdrejtë ndaj zërit opozitar dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve. Në prag të zgjedhjeve lokale, është e qartë se kemi të bëjmë me një strategji të mirëmenduar për të frikësuar, shantazhuar dhe dobësuar strukturat organizative të BDI-së, në vend që të ballafaqohen me qytetarët përmes alternativës politike dhe debatit të ndershëm demokratik.
Në këtë kontekst, ftojmë institucionet përgjegjëse të sqarojnë në mënyrë transparente arsyet, bazën ligjore dhe qëllimin e kontrollit policor të ndërmarrë ndaj shtëpisë së z. Iljas Leskovica, si dhe të sqarojnë se kush nga qarqet e inkriminuara qëndron pas vendimeve të tilla selektive që synojnë të ushtrojnë presion mbi përfaqësues politikë legjitimë.
Bashkimi Demokratik për Integrim rikujton se kapja e drejtësisë dhe instrumentalizimi i institucioneve nuk janë sfida ndaj një partie politike, por rrezik serioz për rendin demokratik dhe për të ardhmen evropiane të vendit. Fatkeqësisht, nuk është hera e parë që strukturat shtetërore keqpërdoren për qëllime politike. Raste të mëparshme, përfshirë edhe rastin e Koçanit, dëshmojnë qartë se fajtorët e vërtetë nuk përballen me drejtësinë, ndërsa të tjerët përdoren si viktima të kalkulimeve politike.
Po ashtu, është e papranueshme që struktura të lidhura me krimin urban dhe veprimtari të paligjshme të mbrohen nga pushteti dhe të shërbejnë si mjete për të sulmuar opozitën dhe për të shtypur pluralizmin politik në vend.
Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i palëkundur në përkushtimin e tij për sundimin e ligjit, për drejtësi të pavarur dhe për përfaqësim të denjë të qytetarëve shqiptarë në të gjitha nivelet. Asnjë presion, asnjë tentativë për frikësim nuk do ta ndalë vullnetin tonë për të mbrojtur të drejtën legjitime për pjesëmarrje dhe përfaqësim politik.