Bastiset shtëpia e funksionarit të BDI-së, dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme

3 Min. Leximi

Ministria e Punëve të Brendshme dyshon një funksionar lokal të partisë opozitare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për përfshirje në zjarrvëniet e qëllimshme në rajonin e Shkupit.
Siç mëson portali “Fokus”, bëhet fjalë për kryetarin e degës së BDI-së në komunën e Shuto Orizarit, në shtëpinë e të cilit policia tashmë ka kryer bastisje.

Sipas informacioneve jozyrtare, gjatë bastisjes janë gjetur mjete piroteknike dhe materiale të tjera të ndezshme. Po ashtu, i është konfiskuar edhe telefoni mobil për ekspertizë të mëtejshme.

- Advertisement -

Burime policore bëjnë të ditur se ekzistojnë dyshime se ai mund të jetë i përfshirë edhe në zjarrin që shpërtheu në deponinë në Vizbeg, pasi që posedon pronë pranë parcelës së djegur.

Personi në fjalë është zyrtar lokal i BDI-së me inicialet I.L., ndërsa vëllai i tij është shef kabineti i drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Parket dhe Gjelbërim”, e cila funksionon nën autoritetin e Qytetit të Shkupit, i udhëhequr nga kryetarja Danella Arsovska.

Lidhur me rastin, gazetarët i janë drejtuar zyrtarisht MPB-së për përgjigje, por deri më tani nuk ka informacione nëse janë gjetur dëshmi të tjera që e lidhin këtë person me zjarrvëniet në kryeqytet.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për shtyp deklaroi se policia ka dyshime të bazuara se zjarrvëniet janë të organizuara, megjithatë nuk dha detaje për numrin apo identitetin e të dyshuarve.

- Advertisement -

“Kemi dyshime të bazuara se zjarret janë të shkaktuara qëllimisht nga faktori njeri. Po hetohen disa raste afër infrastrukturës kritike, rrugëve, zonave të populluara dhe pronave private,” deklaroi Toshkovski.

Kryeministri Hristijan Mickoski nga ana tjetër u shpreh se jo vetëm që kanë dyshime, por edhe posedojnë dëshmi se zjarrvëniet janë të qëllimshme.

“Kemi edhe persona të ndaluar që janë kapur në flagrancë, veçanërisht në territorin e Shkupit. Të dhënat që kemi tregojnë se bëhet fjalë për një aksion të koordinuar dhe të menduar mirë, sidomos në Shkup,” tha Mickoski.

Deri tani janë ndaluar disa të mitur që kishin ardhur nga jashtë vendit, por hetimet po vazhdojnë edhe për persona të tjerë, përfshirë funksionarë partiakë dhe të afërm të tyre.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull