Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese sot informoi se kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Menjëherë kanë reaguar nga VLEN, ku thonë se BDI-ja gjithçka bën për të mbuluar të kaluarën e tyre kriminale, njofton Portalb.mk.
“Bashkimi Demokratik për Integrim i drejtohet publikisht partive shqiptare në qeveri dhe me një thirrje të qartë: Nëse nuk keni frikë nga vullneti i popullit, atëherë ejani në zgjedhje të parakohshme. Nëse mendoni se populli pajtohet që partitë humbëse të përfaqësojnë shqiptarët – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se është në rregull që ministrinë për Marrëveshjen e Ohrit ta udhëheq një pitinist që mohon atë – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se shqiptarët e pranojnë anulimin e balancuesit – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se punësimet njëetnike, përjashtuese nuk shqetësojnë askënd – ejani në zgjedhje!”, thonë nga BDI.
Nga BDI-ja potencojnë se ai që është i sigurt në drejtësinë e rrugës së vet, siç thonë, nuk ka pse të ketë frikë nga zgjedhjet.
“BDI nuk e frikësohet popullit. Ne e dëgjojmë, e respektojmë dhe besojmë tek ai. Nëse edhe ju e bëni të njëjtën gjë –
ejani në zgjedhje! Ne jemi gati!”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Nga VLEN-i potencojnë se BDI-ja vazhdojnë të gënjejnë votuesit e tyre me, siç thonë, premtime boshe dhe thirrje të mjerueshme për zgjedhje të parakohshme vetëm për të shpëtuar veten, pasuritë e tyre dhe dosjet kriminele.
“Sot i shohim të kapur në një panik patetik, duke lypur pushtetin sikur të ishte frymëmarrja e tyre e fundit politike.
Në mungesë të çdo ideje apo vizioni, ata vazhdojnë të gënjejnë votuesit e tyre me premtime boshe dhe thirrje të mjerueshme për zgjedhje të parakohshme – vetëm për një qëllim: për të shpëtuar veten, pasuritë e tyre dhe dosjet që çdo ditë po dalin në dritë. Qytetarët e dinë fort mirë me kë kanë punë: Me Bujar Osmanin, që shpërndante tenderë për rent-a-car si bakshishe për miqtë dhe rrethin e tij politik. Me Blerim Bexhetin, mjeshtrin e politikës “hidhja – futja”, që bashkë me Danella Arsovskën shndërruan Shkupin në një xhungël. Me të arratisurin Artan Grubi – që u fut në listën e zezë pasi e shpëtoi Sasho Mijallkovin nga burgu, duke hedhur edhe një tjetër njollë turpi mbi nderin e shqiptarëve. E mendoni vërtet se shqiptarët do t’ju besojnë përsëri?Ku i latë standardet ISO? A i përfunduat?”, thuhet në reagimin e Koalicionit.
Nga VLEN-i theksojnë se për funksionarët e BDI-së, pushteti ka qenë gjithmonë burim pasurie dhe privilegjesh, kurrë mjet për të ndërtuar të ardhmen e popullit të vet.
“Sot, kur dosjet e korrupsionit po u shpërthejnë njëra pas tjetrës, BDI-ja kërkon një “shteg më të shkurtër” përmes krizave artificiale dhe kërcënimeve për bojkot të zgjedhjeve. Jo për shqiptarët. Jo për të ardhmen. Por për të mbuluar të kaluarën e tyre kriminale. Ata nuk e kuptojnë se pa reforma programore dhe kadrovike, nuk do të ndiejnë erën e pushtetit për një kohë shumë të gjatë!”, tuhet në reagimin e VLEN-it.
Partitë politike por edhe njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut janë të ndarë në mendimet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale. Në opinion zërat për zgjedhje të dyfishta në vjeshtë të këtij viti dolën pas vendimit të largimit të ASH-së së Arben Taravarit nga koalicioni VLEN gjë që ka krijuar mundësi për rikonstruim të mundshëm të qeverisë.
Mbetet pikëpyetje se vallë turbulencat brenda koalicioneve në qeveri do të krijojnë hapësirë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin bashkë me lokalet në tetor.