Bashkim Hasani i përgjigjet Bujar Osmanit: Kujtohet për studentët vetëm në opozitë, jo kur ishte në pushtet

2 Min. Leximi

Funksionari i VLEN-it, Bashkim Hasani, ka reaguar ashpër ndaj thirrjes së fundit të Bujar Osmani për protestë në mbështetje të studentëve, duke e akuzuar për hipokrizi dhe mungesë konsistence politike.

Hasani thekson se Osmani sot u bën thirrje shqiptarëve të lënë angazhimet e tyre për të protestuar, ndërkohë që sipas tij, për më shumë se 20 vite në pushtet nuk ka vepruar për të zgjidhur problemet e studentëve shqiptarë, përfshirë edhe çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ai rikujton edhe raste të tjera, duke përmendur protestat për rastin “Monstra”, trajtimin e protestuesve shqiptarë nga policia gjatë bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në dhe, siç thotë ai, mungesën e reagimit nga ana e Osmanit në momente kyçe për shqiptarët.

Sipas Hasanit, Osmani ka qenë pjesë e një pushteti që “heshti përballë padrejtësive, toleroi diskriminimin dhe shpeshherë u bë zëdhënës i tij”, ndërsa sot përpiqet të paraqitet si mbrojtës i gjuhës shqipe.

Në reagimin e tij, Hasani vlerëson se studentët meritojnë mbështetje, por jo, siç shprehet ai, “hipokrizi politike”, duke shtuar se ata kanë nevojë për drejtësi, barazi dhe dinjitet.
Në fund, ai i bën thirrje Osmanit që, para se të kërkojë mobilizim qytetar, të kërkojë falje për rolin e tij në periudhën kur ishte në pushtet, duke theksuar se qytetarët “dinë të bëjnë dallimin mes fjalëve dhe veprave”.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull