Banorët e lagjes Dizhon me vetë iniciativë rregullojnë dhe pastrojnë parkun në lagjen e tyre. Një grup të rinjë dhe vullnetarë mërgimtarë, kanë grumbulluar të holla me të cilat kanë blerë shporta për mbeturina, zorrë plastike për ujitjen e parkut dhe spërkatës.

Ata janë organizuar dhe për çdo javë angazhojnë edhe fëmijët e lagjes për pastrimin e shportave të vendosura dhe parkun në përgjithësi. Sipas njërit prej banorëve, parku ishte i thatë nga i nxehti që kaploi vendin, por tani pamja e parkut ka ndryshuar dhe është një fushë e blertë.

Ndryshe, kompetente për t’u kujdesur për parkun është Ndërmarrja Publike e Qytetit të Shkupit ‘Parqet dhe Gjelbërime’ por kjo tash e disa vite nuk e kryen punën e vet. Ata kanë lënë pa përkujdesje jo vetëm parkun e Dizhonit por edhe parqet e tjera në të gjithë qytetin. Nga fotografitë që publikohen nëpër rrjetet sociale nga vetë qytetarët shihen parqe të lëna shkretë dhe me barë të thatë. /VOXAL/