Në takimin që Lëvizja Besa pati në Dibër, sekretari i saj, Adnan Azizi, në fjalimin e tij mes tjerash tha se, familjarët e Ali Ahmetit, Talat Xhaferit dhe Artan Grubit jetojnë në luks marramendës dhe shtoi se, kanë rreth 8 vetura private që kushtojnë rreth 100 mijë euro dhe se kanë banesa në Maqedoni dhe Shqipëri.
“Familjarët e Ali Ahmetit, e Talat Xhaferit, e Artan Grubit, jetojnë në luks marramendës. Vetëm “Soravia” 42 milionë euro. Vetëm veturat private besomëni që i kanë ka 7-8, nuk është asnjëra ndër 100 mijë euro, mos të flasim për banesa që kanë në Shkup, Tetovë, Durrës, Gjiri i Lalzit, Ulqin dhe shumë kompani biznesi që janë mundu t’i humbin gjurmët që i kanë themeluar në Evropë”, tha Adnan Azizi.
Për këtë deklaratë të Azizit ka reaguar Talat Xhaferi ku edhe ishte i përmendur emri që siç thotë, deklaratat e tilla janë shpifje dhe të pavërteta që kanë për qëllim prishjen e imazhit të tij dhe të familjes. Xhaferi tha se, e gjithë pasuria që ai posedon janë të qasshme për publikun dhe se janë të deklaruara në listën anketuese pranë Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit.
“Këto shpifje të adresuara ndaj meje dhe të shpërndara në publikun e gjerë i hudhi si të pavërteta dhe tendencioze të cilat kanë për qëllim prishjen e imazhit tim dhe të familjes time. Çdo gjë që posedojë dhe kam në pronësi unë dhe familja ime janë të qasëshme për publikun e gjerë përkatësisht janë të deklaruara në listën anketuese pranë Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit dhe të njejtat jo vetëm publiku por edhe institucionet përkatëse mund t’i verifikojnë”, tha Xhaferi.(Tv21)