Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka nisur një projekt të ri për rritjen e efikasitetit energjetik dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në sistemin arsimor. Gjatë verës, në 50 shkolla në të gjithë vendin do të instalohen sisteme fotovoltaike, me qëllim kursimin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, bëri të ditur se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar një marrëveshje për një grant të pakthyeshëm prej 1.1 milion eurosh me Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Evropës, e cila do të financojë projektin.
Sipas saj, përveç përfitimeve ekologjike, vendosja e paneleve diellore do të sjellë edhe kursime të konsiderueshme në buxhetin e shkollave. Këto mjete do të mund të riinvestohen në projekte të tjera si përmirësimi i infrastrukturës, sigurimi i teksteve shkollore dhe pajisjeve digjitale për nxënësit.
“Qeveria ka një vizion, plan dhe qëllim për përmirësimin e procesit arsimor. Me investime konkrete si ky, synojmë të reformojmë arsimin dhe të ndërtojmë një sistem më të qëndrueshëm dhe bashkëkohor,” theksoi Azizi, duke shtuar se vendi është në rrugën e ndryshimeve.