Gjithsej 39 qytetarë raportuan probleme që kanë hasë në disa nga institucionet shëndetësore, disa prej tyre janë sjellje joprofesionale, injorim i pacientëve, ryshfet, vonesa në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Azir Aliu, Ministri i Shëndetësisë, informoi për këtë sot në një konferencë për media, transmeton Portalb.mk.
Mjet digjital kundër ryshfetit dhe abuzimit
Ministria ka zbatuar një mjet të ri elektronik për raportimin e parregullsive në institucionet e kujdesit shëndetësor. Deri më tani, 39 qytetarë janë përgjigjur – 27 në maqedonisht dhe 12 në shqip. Problemet më të raportuara janë sjellja joprofesionale, injorimi i pacientëve, refuzimi i trajtimit, vonesat në shërbime dhe kërkimi i ryshfetit.
“Për të qenë të sigurt për saktësinë e informacionit, kemi krijuar një zyrë që do të verifikojë raportet. Do të shqyrtojmë të gjitha akuzat dhe do të ndërmarrim veprime nëse ka shkelje të ligjit” shpjegoi ministri.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, duke dhënë raport njoftoi se ministria ka filluar përgatitjen e ndryshimeve në 12 ligje themelore në sistemin e kujdesit shëndetësor
“Digjitalizimi i kujdesit shëndetësor është në zhvillim e sipër, dhe ky nuk është luks, por një mjet i domosdoshëm për kujdes shëndetësor të përgjegjshëm, të drejtë dhe efikas. Kjo është arsyeja pse kemi filluar përgatitjen e ndryshimeve në 12 ligje themelore të sistemit të kujdesit shëndetësor. Çdo ligj do të trajtohet nga një grup ekspertësh, sepse kujdesi shëndetësor modern nuk ndërtohet me improvizime, por me rregulla të sakta dhe sistematike”, theksoi ministri.
Paga dhe mbështetje më të larta për mjekët e rinj
Si një nga masat më të rëndësishme, ministri theksoi vendimin për rritjen e pagave të punonjësve të kujdesit shëndetësor – me 4,815 denarë neto për stafin mjekësor dhe me 6,200 denarë për infermierët.
“Kjo nuk është vetëm mbështetje financiare, por një mesazh se shteti qëndron pas atyre që kujdesen për shëndetin e qytetarëve”, tha ministri.
Aliu njoftoi se Qeveria tashmë po punon për zgjidhjen e problemeve të vjetra në Spitalin e Tetovës.
“Pjesa administrative është zgjidhur dhe së shpejti pritet vazhdimi i shërbimeve. Qeveria ka miratuar një buxhet për ndërtimin e 2 objekteve të reja me shërbime të zgjeruara. Tetova do të jetë një nga qendrat kryesore ku do të investohet”, tha ai.
Në një analizë të Portalb verifikohet se pas kompanive shtetërore dhe ndërmarrjeve publike në nivel lokal dhe qendror – shëndetësia është një nga sektorët me borxhe më të mëdha në vend, me një borxh mbi 77 milionë euro.
Ndryshe, denoncimet e qytetarëve janë dëshmi se ryshfeti nuk ndalet në institucionet e shëndetësisë edhe pse, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vetëm tri ditë më parë ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore Penale në Shkup kundër dy personave, i pandehuri i parë është Muhsin Arifi, drejtor i Spitalit të Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori”, i cili akuzohet për veprën penale të marrjes së ryshfetit. I pandehuri i dytë akuzohet për pranimin e shpërblimit për ndikim të paligjshëm. Të njëjtit ishin arrestuar më 8 prill.