Në Tetovë ka përfunduar asfaltimi i rrugës “Mehmet Pashë Deralla”, një nga rrugët më të frekuentuara që lidh disa pjesë të qytetit dhe kalon pranë Spitalit të Tetovës. Rruga ka gjatësi mbi 1200 metra dhe gjerësi mesatare rreth 7 metra. Kryetari i Tetovë, Bilall Kasami, deklaroi se kjo rrugë konsiderohet një nga arteriet kryesore të qytetit dhe se me asfaltimin e ri pritet të lehtësohet qarkullimi në këtë pjesë të Tetovës.
“Bëhet fjalë për një rrugë që është një ndër arteriet kryesore të qytetit tonë, e cila tanimë, me këtë investim, ka marrë një pamje moderne. Ky investim nënkupton asfaltimin e plotë të kësaj rruge, me një gjerësi mesatare prej rreth 7 metrash dhe një gjatësi prej mbi 1200 metrash. Po ashtu, dua të potencoj se investimi total në këtë rrugë kap vlerën prej rreth 30 milionë denarësh. Edhe një herë, ky është një investim shumë i rëndësishëm për infrastrukturën rrugore të qytetit tonë”, tha Bilall Kasami – kryetar i komunës së Tetovës.

