Kryetari i Këshillit Komunal të Çairit, Jetmir Asani, ka reaguar ashpër ndaj qasjes diskriminuese të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ndaj Komunës së Çairit, të cilën e cilëson si një nga më të populluarat me shqiptarë në kryeqytet.
“Asnjë justifikim nuk e arsyeton këtë padrejtësi flagrante! Nëse diskriminimi do të kishte emër dhe mbiemër, atëherë do të quhej Danella Arsovska”, ka shkruar Asani.
Ai ka shpalosur të dhëna konkrete, sipas të cilave, në më pak se 6 vite, Qyteti i Shkupit ka mbledhur rreth 18 milionë euro nga banorët e Çairit përmes tatimeve dhe taksave të ndryshme, ndërsa në kthim janë realizuar vetëm 1.5 milionë euro investime.
“Për Danellën, Çairi është geto, jo pjesë e barabartë e qytetit! Për të, banorët e Çairit janë vetëm numra për inkasim, jo qytetarë që meritojnë investime, shërbime dhe dinjitet”, theksoi Asani.
Ai i bëri thirrje opinionit publik që të mos heshtet përballë këtij diskriminimi të qëllimshëm dhe sistematik nga ana e institucionit që ka për obligim të ofrojë zhvillim të barabartë për të gjithë qytetarët e Shkupit