Gjatë kohës kur LSDM dhe BDI ishin bashkë në pushtet, u realizua ndërtimi i rrugës Stracin–Kriva Pallankë, e gjatë 25,5 kilometra, që lidh zonat maqedonase dhe konsiderohet një nga projektet kryesore infrastrukturore të atij mandati. Megjithatë, kontrasti është i qartë kur krahasohet me mosrealizimin e një segmenti prej vetëm 2 kilometrash në drejtim të Kosovës – një projekt me rëndësi strategjike për shqiptarët.
Ky dështim i lidhur me zonat shqiptare është parë si pasojë e mosvullnetit dhe korrupsionit, për të cilin Artan Grubi, një nga koordinatorët kryesorë të BDI-së gjatë periudhës në pushtet, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Gjatë mandatit të tij, ky projekt i shkurtër mbeti peng i interesave personale dhe praktikave të dyshimta, që kanë vonuar dhe sabotuar zhvillimin e rajonit.
Sot, Artan Grubi ndodhet në arrati, i përballur me hetime nga organet e drejtësisë për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përfshirë atë në listën e zezë, duke konfirmuar se veprimet e tij përbëjnë kërcënim për sundimin e ligjit dhe zhvillimin demokratik.
Kjo situatë ka shkaktuar zhgënjim të thellë te qytetarët shqiptarë, të cilët kërkojnë përgjegjësi për vonesat dhe përjashtimin e zonave të tyre nga investimet e rëndësishme infrastrukturore.