Është arrestuar personi i cili nga Kuvendi i Kosovës gjatë të mërkurës ka bërë thirrje për pushkatim të deputetit, Ramush Haradinaj.
Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
“Po personi i dyshuar është arrestuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë. Ndaj tij do të merren veprimet procedurale në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në përgjigje.
Pak para se të njoftohet lidhur me arrestimin, Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka nisur hetimet lidhur me personin i cili sot në Kuvendin e Kosovës ka bërë thirrje për pushkatim të deputetit të Aleancës, Ramush Haradinaj.

