Ariton Rama: Ligji për përfaqësim të drejtë është hap drejt një mendësie të re shtetformuese

2 Min. Leximi

Analisti politik Ariton Rama ka përshëndetur nismën e qeverisë VLEN për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili pritet të sillet në seancën qeveritare ditën e martë, duke e vlerësuar atë si një hap përpara drejt barazisë reale ndërmjet bashkësive etnike në institucionet shtetërore.

“Uroj që ky ligj të trajtojë objektivin e tij, pra të garantojë pjesëmarrjen proporcionale të bashkësive etnike në çdo pore të përditshmërisë institucionale”, shkruan Rama, duke theksuar se ai përfaqëson një avancim të qartë nga një mekanizëm juridik formal, në një substancë të prekshme që fuqizon frymën kushtetuese dhe ligjore të sistemit politik në vend.

- Advertisement -

Sipas tij, zbatimi real i ligjit duhet të jetë në fokus të të gjithë spektrit politik, në mënyrë që të parandalohet çdo formë diskriminimi në bazë etnike, si në procesin e punësimit, ashtu edhe në avancimin në detyrë.

“Ky ligj duhet të ngrejë vetëdijen për një mendësi të re shtetformuese – një mendësi ku parimet multietnike dhe multikulturore të jenë të ngulitura në strukturën e shtetit tonë, nëse vërtet synojmë prosperitetin euroatlantik”, theksoi analisti.

Rama përmbylli qëndrimin e tij duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe përkushtimit politik për barazi, të cilat duhet të jenë shtylla të çdo ligji në një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull