Arben Fetai merr mandatin për negociata në VLEN, miratohet koncepti “Aleanca e Re”

1 Min. Leximi

Strukturat e ASH-së brenda koalicionit VLEN, përfshirë Këshillin Koordinues, koordinatorët e degëve, funksionarët dhe mandatarët e zgjedhur, mbajtën sot mbledhjen për Kuvend themelues, ku në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet e fundit politike në vend dhe nevoja për riorganizim strategjik.
Gjatë mbledhjes u theksua domosdoshmëria e avancimit të veprimit politik, me qëllim forcimin dhe konsolidimin e përfaqësimit efektiv të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në këtë drejtim, Kuvendi miratoi konceptin “Aleanca e Re”, i cilësuar si hap strategjik drejt një strukturimi më të fuqishëm dhe më të unifikuar politik, raporton zyrtare.net.

Në kuadër të riorganizimit të brendshëm, u vendos:
Pezullimi i menjëhershëm i funksionimit të të gjitha organeve aktuale deri në një vendim të ri;
Shpallja e një moratoriumi të përkohshëm për të gjitha aktivitetet partiake.

Me shumicë votash, Kuvendi autorizoi kryetarin Arben Fetai që të zhvillojë negociatat e mëtejshme në kuadër të lidershipit të VLEN-it, me synim themelimin e VLEN-it si parti politike, në përputhje me vlerat dhe parimet e dakorduara deri më tani.
Vendimet e marra pritet të ndikojnë në rikonfigurimin e skenës politike shqiptare në vend, ndërsa negociatat e ardhshme do të përcaktojnë drejtimin e ri organizativ dhe politik të koalicionit./Zyrtare.net

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull