Gjatë këtij viti të parë, si pjesë e Qeverisë së re, kemi ndërmarrë hapa konkretë për t’i dhënë fund kaosit dhe padrejtësive në arsim dhe për të ndërtuar një sistem arsimor funksional, gjithëpërfshirës dhe të drejtë.
Për herë të parë pas shtatë vitesh, viti shkollor ka nisur me të gjitha tekstet e dorëzuara me kohë. Janë shpërndarë mbi 1 milion kopje librash në të gjitha shkollat, përfshirë tituj të rinj për lëndët që më parë nuk kishin materiale mësimore. Kur jemi te tekstet shkollore për herë të parë në arsimin shqip e futëm Abetaren e Përbashkët Kombëtare. Ndonëse edhe më parë ka pasur ministra shqiptarë të Arsimit kjo nuk është bërë, kurse ne ia dolëm. Le ta gëzojnë nxënësit shqiptarë dhe le të ndjehen njësoj si të gjithë nxënësit shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë.
Kemi iniciuar një cikël investimesh prej 32 milionë eurosh për ndërtimin dhe rikonstruktimin e shkollave, konvikteve dhe sallave sportive. Po ndërtohet kampusi i ri universitar Nënë Tereza në Shkup me shumë prej 35 miljon euro, ndërsa në 50 shkolla po instalohen sisteme për energji të pastër.
Në aspekt të reformave dhe përmbajtjeve e ndaluam modelin absurd të bashkimit të lëndëve si historia dhe gjeografia dhe kemi nisur përgatitjen e programeve të reja të bazuara në realitetin tonë shoqëror dhe kërkesat bashkëkohore. Gjithashtu, po zhvillojmë konceptin e ri për gjimnazet dhe kemi zgjeruar lëndët zgjedhore.
Janë miratuar 5 ligje të reja për arsimin fillor, të mesëm, profesional dhe për të rriturit. Kemi futur asistentë arsimorë, orientim profesional, mbështetje për fëmijët me sëmundje që nuk mund të ndjekin mësimin në shkollë, si dhe mbështetje financiare për nxënësit e talentuar dhe mësuesit e tyre.
Buxheti për shkencën është dyfishuar. Studentëve u është kthyer transporti falas, janë rritur subvencionet për ushqim, janë zbutur kriteret për bursa dhe janë dixhitalizuar të gjitha procedurat.
Qeveria VLEN shfaqi respekt maksimal për arsimtarët, madje si asnjë qeveri më parë dhe si asnjë pushtet në të kaluarën. Kështu, Sindikata e Pavarur e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SASHK) dhe qeveria më 12 tetor 2024 nënshkruan marrëveshje për pagat e arsimit fillor dhe të mesëm, ashtu që nga tetori pati rritje për 5%, në mars të këtij viti kjo rritje u bë plus 7 për qind, ndërsa rritje prej 7.5 deri në 10 për qind do të ketë edhe në marsin e 2026-tës, 2027-tës dhe 2028-tës. Në fund të mandatit tonë një arsimtar do të marrë rrogë mbi 45 për qind më shumë seç ka marrë në shkurt të vitit 2024.
Pas angazhimit tonë në pushtetin lokal për fillimin e gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, vetëm këtë vit janë ndarë edhe 2 milionë euro për vazhdimin e punimeve dhe projekti po ecën shkëlqyeshëm. Jam i bindur se në shtatorin e ardhshëm, “Sami Frashëri” nuk do të jetë më vetëm emri i një rilindësi, por edhe i një gjimnazi modern e të përfunduar në Kumanovë.
E njëjta vlen edhe për shkollën shqipe në Çashkë, tashmë çështje e tejkaluar. Në heshtje, pa zhurmë e pa bujë, ajo është zgjidhur dhe nga shtatori aty do të kemi edhe një mësues të ri.
Sa i përket shkollës në Nerovë, ajo nuk do të rrënohet, por do të vazhdojë të funksionojë si vatër e dijes për të rinjtë shqiptarë. Disa aktivistë u përpoqën të marrin merita për punën që nuk e kanë bërë, por qytetarët e dinë të vërtetën. Fundja, me rëndësi është shkolla, jo mburrja.
Ky është vetëm fillimi. Po punojmë me përkushtim për të ndërtuar një arsim që i shërben secilit fëmijë, pa përjashtim dhe që i jep dinjitet mësimdhënësit, nxënësit dhe dijes.
Aliu: Po ndërtojmë një sistem arsimor funksional, gjithëpërfshirës dhe të drejtë

Ndani këtë artikull