Ministri i ri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili është doktor i shkencave informatike, tha se detyra e tij është të menaxhojë sistemin shëndetësor për të shmangur listat e pritjes, jo të kryejë operacione. Në konferencën e tij të parë për shtyp pas marrjes së detyrës, ai premtoi transparencë në punë dhe digjitalizimin e shëndetësisë për të zgjidhur problemin e listave të pritjes për operacione dhe terapi.
“Unë jam doktor i shkencave informatike, nuk jam mjek, por pozita që mbaj është menaxheriale. Nuk do të operoj zemra, por do të krijoj sisteme që të jenë optimale, transparente dhe në kohë. Do të krijoj sisteme që kardiologët të mund të operojnë zemra në kohë reale, me instrumente të mira dhe pa lista pritjeje. Digjitalizimi është mënyra më e mirë për përmirësimin e kushteve të trajtimit dhe vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një pasqyrë reale për pacientët që presin për një termin për operacion ose terapi,” tha Aliu.
Ai njoftoi krijimin e një programi për skanimin e të gjithë qytetarëve mbi moshën 40 vjeç, për t’u ofruar atyre kontrolle falas.
“Do të krijojmë një platformë për regjistrimin online të qytetarëve për parandalim. Rreziqet nga sëmundjet më të rënda reduktohen me 30-40% nëse zbulohen me kohë. Kjo nuk është diçka që do të nisë nga nesër, por do të hartohet një program për skanimin e shëndetit të qytetarëve,” tha Aliu.
Prioriteti i tij i parë do të jetë shqyrtimi i gjendjes në spitalin e Koçanit, dhe ai njoftoi se nesër do të takohet me drejtoreshën e spitalit, si dhe me pacientët e plagosur në zjarrin e ndodhur në diskotekën “Pulse”.
Do të formohen edhe grupe pune për menaxhimin e situatave të krizës, të cilat për momentin nuk ekzistojnë.