Nga Alfred Uçi
Ka gjëra ose veprime kaq të rëndomta, të zakonshme, të përditshme, saqë shpesh jemi të bindur se ua njohim mirë thelbin, strukturën, funksionin, rolin dhe prandaj do të na dukej absurde, në mos qesharake të pyesnim se ç’ janë.
Më duket se një veprim i këtij lloji është dhe leximi (lëçitja) si tillë, por po të pyesnim se ç’është ai jo vetëm njerëz fare të rëndomtë, por edhe intelektualë të regjur me lexime gjithëshfarëshe, ndodh të na japin përgjigje fare të cekëta, të njëanshme, madje edhe banale.
ADVERTISING
Spinach Recalled After Testing Positive for Listeria
×
Po ç’ka më nxit, të shpreh ca mendime për këtë problem, janë disa shqetësime të ditëve tona që shfaqen në shumë familje: Përse shumë fëmijë, por jo vetëm fëmijë nuk kanë dëshirë të lexojnë? Situata është shqetësuese kur mësojmë se nuk ka fonde për të blerë libra sipas profileve që kanë bibliotekat qendrore të universiteteve, fakulteteve, institucioneve shkencore e kulturore, pale fonde për botime të huaja.
Shqetësim është se leximi është duke u rrudhur dhe është fatkeqësi kur libri ka fituar lirinë e plotë, madje të tepruar me disa botime që më mirë të mos ishin. Kur përpiqemi të përcaktojmë faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit të njerëzimit, të qytetërimeve, ne na shkon mendja lehtësisht te kultura, ekonomia, shkenca, teknika, feja, morali, filozofia, etj. Po kështu mund të përmendim disa nga shpikjet e zbulimet më të mëdha si zjarrin, rrotën, atomin, elektricitetin, artin, kompjuterin, etj.
Me nënqeshje ironike, përsëriten këtë përgjigje: LEXIMI është zotërimi i një alfabeti dhe përdorimi i tij për të lexuar libra. Këtë përgjigje ne e quajtëm të cekët, gjysmë të vërtetë, në mos banale.
Është e vërtetë se zbulimi, krijimi i alfabeteve ka qenë një nyjë e një ngjarje e rëndësishme në jetën dhe historinë e njerëzimit; me të filloi përdorimi i shkrimit dhe dorëshkrimit. Ata popuj që e patën më përpara në kohë këtë vegël, shkuan edhe më përpara në krahasim me ata që s’e patën e u vonuan në qytetërim. Por, leximi si i tillë, është më i lashtë se sa alfabetet; ai është aq i lashtë, sa homosapiensi, sa shoqëria njerëzore, të menduarit e të folurit.
Me të drejtë thuhet se sikur të ndërpritej qoftë edhe për një kohë të shkurtër prodhimi global, shoqëria do të ndodhej para një katastrofe të pariparueshme, por ne do të mund të pohonim po kështu se po t’i kishte munguar njeriut aftësia për të lexuar, shoqëria do të kish qenë e paaftë për të prodhuar, pra për të ekzistuar.
Leximi e ka përcjellë njerëzimin jo vetëm në kohët parahistorike, por ky veprim vazhdon ta përcjellë atë në gjithë aventurën e ekzistencës së tij. Leximi është vegël e pazëvendësueshme me asgjë tjetër. Nuk është e rastit që në Bibël është thënë: “Në fillim qe Fjala”!
Leximi ka ushqyer fuqinë e dijes, e qytetërimit, progresit, prandaj ka patur ithtarë të përgjëruar të leximit e të shkrimit, martirë të vërtetë për Diturinë, por progresi ka patur dhe armiq të betuar që kanë ardhur nga stani i injorancës, siç pat ndodhur me Sokratin që piu helmin ose me Platonin skllav, me atë Mulla Omarin që dogji bibliotekën e madhe të Aleksandrisë, nisur nga mendimi se njerëzve u mjaftonte Kurani që demek kish të gjitha ç’i nevojitet jetës, ose si inkuizicioni që digjte gjatë Mesjetës librat dritëdhënëse se bashku me autorët e tyre, Xh. Brunon etj., që e detyroi mendjen e ndriçuar nga leximi të strukej për të lexuar në manastiret, në qelitë e tyre ku ruhej libri. Martirë të vërtetë të librit ka pasur edhe Shqipëria, si P. N. Luarasi, që përkthente në shqip dhe përhapte abetaren në shkollat e para rilindëse të vendit tonë
Ky progres ka qenë shoqëruar dhe me rritjen e vazhdueshme të kërkesave për libra brenda sistemeve bashkëkohore arsimore e jashtëarsimore, si dhe me përsosjen e pasurimit kolosal të bibliotekave të profileve të ndryshme, duke përfshirë dhe ato personale, të sistemit të shpërndarjes, të tregtimit dhe të propogandimit të librit. Edhe brezi ynë ka patur fatin të shijoje dhe po shijon rritjen e botimeve tipografike dhe të tirazheve të tyre.
Është kënaqësi që shikojmë në libraritë gjithë ato libra, madje dhe ato “të ndaluara “, ”të mallkuarat” që i shihnim në libraritë e vendeve të tjera dhe që ndërronim të kishim dhe në shtëpitë tona.
S’ ka dyshim se shumica e njerëzve që lexojnë sistematikisht përfitojnë kënaqësi, e cila është një stimul e një akt psikologjik emocional, që përcjell në mënyrë suksesive leximin. Po qe se libri të pëlqen, e lexon me një frymë deri në fund, por kur nuk të pëlqen e mbyll dhe e flak tutje. Ka shumë libra që të pëlqejnë, por ka dhe libra që s’ të pëlqejnë. Çdo njeri është i detyruar dhe lexon edhe libra që s’i pëlqejnë.
Nuk bën të mendohet sa kënaqësi i sjell njeriut vetëm leximi i letërsisë, poezisë, teksteve artistikë. S’ka dyshim se çdo tekst artistik pëlqehet ngaqë domosdoshmërisht ka një natyrë estetike d.m.th. hartohet që të krijojë lidhje emocionale me lexuesin, të pëlqehet, të dhurojë kënaqësi.
Shembujt që përmendëm tregojnë se leximi nuk është thjesht kënaqësi. Leximi është një akt i ndërlikuar kulturor, shkencor, psikologjik dhe nuk reduktohet vetëm në rastet e leximit të këndshëm argëtues. Krijimi i veprave artistike, i teksteve letrare poetike është njëlloj pune sigurisht e një lloji të vecantë, por gjithsesi punë.
Është një impenjim kryesisht mendor, intelektual, emocional, psikologjik, por edhe fizik, po të teprohet leximi bëhet i lodhshëm, i mundimshëm siç është çdo punë. Leximi nuk është angazhim thjesht për t’ u dëfryer, për të të zënë gjumi ose për të vrarë kohën. Ai është angazhim që e nënkupton lodhjen që mund të të pëlqejë po që dhe mund të të mos pëlqejë.
Nëse e pranojmë leximin si punë atëherë duhet të flasim edhe për mjeshtërinë e të lexuarit. Çdo lloj pune është art, mjeshtri më vete. Çdo mjeshtri ka sekretet e marifetet e veta. Secila dallohet për nga lloji i dijeve, i përvojës, nga mjeti që përdor dhe që e drejton drejt veprimtarisë së qëllimshme. Edhe leximi si njëlloj mjeshtrie ka specifikën e vet. Ai ka një qëllim drejt së cilit synon. Është një angazhim serioz i njeriut për të.
Duhet të dish të lexosh, çfarë të lexosh, e si të lexosh.
Ka tekste të rënda që kërkojnë një impenjim më të forte intelektual e fizik të lexuesit. Duke u nisur nga tekstet e vështira shkencore e jo shkencore, për të deshifruar kuptimin e shumëkuptimin e tyre janë formuluar dhe këshilla e rekomandime praktike për mënyrat e leximit.
Faguenti, studiuesi i mirënjohur i leximit në përgjithësi, ndaj pyetjes se si duhet lexuar, ka dhënë këtë përgjigje: së pari të lexohet shumë ngadalë, së dyti të lexohet shumë ngadalë dhe së treti të lexohet shumë ngadalë.
Kjo këshillë që trefishohet, sigurisht është e dobishme në përgjithësi dhe vlen për ta mbrojtur lexuesin nga një lloj leximi i përshpejtuar e diagonal, që kryhet zakonisht nga cektësia kulturore e lexuesve, që priren për të mos e vrarë mendjen, kurse leximi i ngadalshëm, i vëmendshëm është mënyra më e frytshme duke nxjerrë gjithë informacionin nga çfarëdo lloj teksti sidomos nga tekstet e vështira e me densitet të madh informativ.
Gjysma e dytë e shekullit XX ka qenë periudhë e një kthese të pabesueshme e të habitshme në shumë sfera të teknikës e shkencës, por mendoj se më e rëndësishme ka qenë e vazhdon të jetë krijimi i një sistemi krejt të ri, jo tradicional komunikimi, mjete moderne të transmetimit, të informacionit kompjuterik, internet, mjetet audiovizuale, riprodhimet artistike, botimet e filmat vizatimorë, kinematografia televizive, diskotekat, albumet e revistat e ilustruara etj. Të gjitha këto mbartin në vetvete një potencial kolosal akumulimi e transmetimi informacioni kulturor, artistik e shkencor të shumëllojtë.
Ky progres po vazhdon me ritme të habitshme, aq sa qytetërimi i shek. XXI ka zënë të quhet “qytetërim i mjeteve digjitale”. Ne asistojmë në aktivizimin e një sistemi të ri, që po e quajmë lexim dixhital.
Ka njerëz të informuar mirë për progresin bashkëkohor teknologjik, që e konsiderojnë shtrirjen e këtij sistemi si një të keqe të madhe, që kinse po e mënjanon mënyrën klasike të leximit të librit, që po e largon spektatorin nga leximi i librit.
Në fakt, ky opinion nuk është plotësisht i saktë. Është e vërtetë se në kohën e sotme ekziston një kontradiktë midis mundësive të pakufizuara komunikuese e transmetuese informative të teknologjive moderne dhe një prapambetje relative të kulturës individuale të leximit të librit.
Është e vërtetë se sot ekzistojnë masa të mëdha njerëzish që lexojnë përmes internetit, që përdorin aparatura digjitale për të lexuar fondet e bankave informative, të bibliotekave, që lexojnë gazeta, revista, libra të të gjithë bibliotekave të botës, të përfshira në internet e në rrugë të tjera informative, me ndihmën e kompjuterëve, që lexojnë filmat vizatimorë, albumet e revistat e ilustruara, që e marrin gazetën në shtëpi etj.
Por, frika lind nga keqpërdorimi i këtyre mjeteve moderne të komunikimit, sidomos të masmediave, të cilat nuk i ndërtojnë emisionet e programet e tyre në përputhje me nevojat e shumanshme të kulturës, arsimit, edukimit sidomos të brezit të ri dhe kërkesave të zhvillimit të teknologjive moderne dhe institucioneve të ndryshme, që mund të funksionojnë pa aktivizuar mjetet e komunikimit digjital, pa i mësuar njerëzit të lexojnë me kulturë dhe me mënyrat e reja të teknologjive moderne.
Ndaj është me shume rëndësi të dimë si dhe çfarë të lexojmë.