Albrim Hoxha, anëtari i kryesisë së ASH-së, që vijoj të mbetet pjesë e VLEN pritet të jetë zëvendësministri i ri i Bujqësisë.
I diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Hoxha ka punuar për vite me radhë si gazetar në disa media të njohura, përfshirë TV ALB e Klan Macedonia. Përveç gazetarisë, ai ka qenë aktiv në fushën e administrimit të tatimeve dhe taksave lokale në Komunën e Strugës, si dhe ka kontribuar si hulumtues dhe ekspert në Institutin për Politika Publike “Arbën Xhaferi”, duke ofruar asistencë teknike për projekte IPARD në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Hoxha ka ndjekur trajnime në fushat e lidershipit, demokracisë, politikave bujqësore, klimës dhe sigurisë ushqimore. Ai ka qenë edhe pjesë aktive në hartimin e strategjive komunale për arsim, kulturë dhe mbrojtje sociale.
Përvoja e tij shumëdimensionale dhe angazhimi i vazhdueshëm në çështjet e zhvillimit lokal dhe bujqësisë pritet të sjellin një qasje dinamike dhe profesionale në funksionin e ri qeveritar.
Përveç angazhimit profesional, Albrim Hoxha është një ndër themeluesit e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa është dalluar edhe si një nga figurat më kritike brenda radhëve të Aleancës për Shqiptarët, duke sfiduar vendime të rëndësishme të lidershipit të partisë, përfshirë edhe qëndrimin e tij të hapur kundër bashkëpunimit me BDI-n.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ai ka udhëhequr shtabin zgjedhor të koalicionit VLEN në Strugë, dhe ka qenë një nga mbështetësit më të angazhuar të platformës politike të këtij koalicioni.