Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, njëherit edhe udhëheqës i koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim, gjatë fjalimit të tij para banorëve të komunës së Vrapçishtit në tubimin përmbyllës, theksoi se ky koalicion ka një mision dhe vizion të qartë.

Ai nënvizoi se Aleanca Kombëtare për Integrim nuk ndjek politika emocionale për ekspozim mediatik, por ndërton politika të mirëplanifikuara ekonomike, politike dhe diplomatike.
Sipas Ahmetit, pushteti vendor përbën një segment kyç në zbatimin e këtyre politikave të qëndrueshme dhe të shëndetshme, të cilat janë në funksion të zhvillimit të shtetit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Në vijim, Ahmeti shtoi se koalicioni mban përgjegjësi të plotë dhe, njëkohësisht, qëndron pranë kryetarëve të komunave në realizimin e këtyre objektivave.


