Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar homologun e tij turk, Numan Kurtulmuş, për rizgjedhjen në krye të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë.
“Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të RMV, kam kënaqësinë t’i përcjell urimet e mia më të përzemërta z. Numan Kurtulmuş për rizgjedhjen si Kryetar i Asamblesë së Madhe të Turqisë,” shkruan Gashi në një status në rrjetet sociale.
Ai e cilëson rizgjedhjen e Kurtulmuşit si “një konfirmim të qartë të besimit dhe vlerësimit për udhëheqjen e tij të përgjegjshme dhe vizionare”.
Duke nënvizuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, Gashi shpreh edhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar. “Duke vlerësuar marrëdhëniet e fuqishme miqësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, shpreh përkushtimin tim serioz për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve tona.”
Në fund të mesazhit, Kryetari i Kuvendit i uron Kurtulmuşit “suksese në vazhdim në detyrën e tij të rëndësishme”.