Në një takim të ngrohtë dhe plot emocione, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, z. Izet Mexhiti, u prit nga një emër i njohur i Shkupit – Adnan Idrizi, një qytetar me rrënjë të thella dhe trashëgimi të pasur familjare në zemër të kryeqytetit.
Gjatë këtij takimi, Idrizi ndau një rrëfim prekës nga koha e ish-Jugosllavisë, një kohë kur shqiptarëve u mohohej e drejta për të ndërtuar, për të jetuar dinjitetshëm dhe për të pasur pronën e tyre. Në atë periudhë të vështirë, kur ngritja e një muri ishte luks i pamundur për shumë shqiptarë, ishte pikërisht përkushtimi dhe ndihma e Izet Mexhitit që bëri të mundur ndërtimin e shtëpisë së tij.
“Në një kohë kur shqiptarëve nuk u lejohej të ndërtonin as edhe një mur, unë arrita të ndërtoj shtëpinë time falë ndihmës dhe përkrahjes së sinqertë të Izet Mexhitit,” tha me mirënjohje Adnan Idrizi, duke rikujtuar atë periudhë me emocione të përziera, por edhe krenari për miqësinë e tyre të kahershme.
Pas takimit, Izet Mexhiti theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe vlerave historike të Çairit. Ai shprehu bindjen se respekti për të kaluarën merr kuptim të plotë vetëm kur shndërrohet në punë të përkushtuar për të ardhmen.
“Familja Idrizi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën shoqërore të Shkupit. Sot me Adnanin folëm për të kaluarën dhe të ardhmen – për një Çair që ecën përpara duke u mbështetur në tradita, por gjithmonë me ide të reja dhe vizion zhvillimor për të gjithë qytetarët,” u shpreh Mexhiti.
Ky takim është një dëshmi e lidhjes së fortë mes liderëve që kanë punuar për të mirën e komunitetit edhe në kohët më të vështira, dhe një sinjal i qartë se e ardhmja e Çairit është në duart e atyre që e njohin historinë dhe e mbrojnë dinjitetin e çdo qytetari.