Deputeti Adnan Azizi, në një postim në rrjetin social facebook, ka thënë se tërbimi nga bashkimi i VLEN-it, po bëhet për shkak se për herë të parë në historinë politike shqiptare nuk po ndodh copëtimi i një subjekti në pesë pjesë, por bashkim i pesë subjekteve në një front të përbashkët.
“Sepse për herë të parë në historinë politike shqiptare nuk po ndodh copëtimi i një subjekti në pesë pjesë, por bashkimi i pesë subjekteve në një front të përbashkët. Kjo është një ngjarje e rrallë dhe një moment politik që thyen logjikën e përçarjes së vazhdueshme shqiptare.
Në vend që ky akt të përshëndetej si pjekuri politike dhe si shpresë për një përfaqësim më të fuqishëm shqiptar, u vërshuan sulme, akuza dhe tentativa për ta devijuar thelbin e ngjarjes. Sepse problemi real nuk është himni, por frika nga humbja e monopolit politik dhe zbehja e shpresës së atyre që pushtetin e kanë kthyer në qëllim, e jo në mjet shërbimi.
Ironia bëhet edhe më e madhe kur pikërisht ata që sot bërtasin për himnin kombëtar, në dy kongreset e fundit të tyre nuk e lëshuan fare atë. Atëherë mediat, analistët dhe “patriotët e përhershëm” heshtën. Nuk pati debate televizive, as akuza për tradhti kombëtare. Por sapo VLEN-i, në Ditën e Evropës, intonoi himnin e BE-së, u krijua një stuhi artificiale patriotizmi.
Kjo nuk është mbrojtje e kombëtares, por hipokrizi politike.
Sepse patriotizmi nuk matet me një ceremoni të vetme, por me përkushtimin ndaj interesit kombëtar, bashkimit shqiptar dhe perspektivës euro-atlantike.
Në thelb, ajo që po i shqetëson më shumë është fakti se shqiptarët po bashkohen. Dhe sa herë shqiptarët bashkohen, ata që kanë jetuar nga përçarja ndihen të rrezikuar”, ka shkruar Azizi.
Adnan Azizi: Pse gjithë ky tërbim nga bashkimi i VLEN-it?

Ndani këtë artikull
