Televizioni Alsat ka mësuar ekskluzivisht detaje të reja nga hetimi mbi abuzimin seksual dhe kushtëzimin e së miturës nga një fshat i Komunës së Likovës.

Sipas informacioneve të siguruara në rrugë jo zyrtare, dje dhe sot janë ftuar edhe persona të tjerë në biseda informative mbi dyshimet për përfshirje në abuzim seksual ose kushtëzim për favore financiare. Identiteti i tyre për redaksinë tonë është i njohur, por nuk do të zbulohet për shkak të rëndësisë së hetimit dhe kujdesit ndaj sekretit hetimor.
Burimet tona bëjnë të ditur se vajza është kushtëzuar me para për disa muaj rresht. Bazë për këtë kusht kanë qenë disa fotografi eksplicite të saj. Nga ajo janë zhvatur disa mijëra euro, ndërsa paratë e mitura i ka siguruar nëpër njerëz me arsyetime të ndryshme.
Në rrethana anonime kemi mësuar se një tentativë për kushtëzim ka pasur edhe ndaj një familjareje të saj, por burimet e njëjta shtojnë se tentativa e të dyshuarve nuk ka qenë e suksesshme.
Aktualisht në biseda janë marrë 5 persona. Dy prej tyre janë nën dyshime për kushtëzim, ndërsa të tjerët për abuzim seksual me të miturën. Procedura hetimore sipas Ministrisë së Brendshme është zgjeruar nëpër disa sektorë, me qëllim vërtetimin e veprave penale dhe saktësimin e veprimeve për çdo të dyshuar.
Ditë më parë Ministria e Brendshme konfirmoi se rastin, duke potencuar se denoncimi ka ardhur nga personi me inicialet S.J që mësohet të jetë prindi i së miturës.
Pas dokumentimit të rastit, policia pritet që dosjen t’ia dorëzon Prokurorisë Publike në Kumanovë nga ku pritet edhe caktimi i masave të kujdesit për disa persona. Sipas Kodit Penal për veprat penale cenim apo kushtëzim me para ose favore seksuale parashikohet burg deri në 10 vjet. Dënim edhe më i madh parashikohet kur vepra kryhet nga një grup i personave.


