Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tani që numërimi i votave nga mërgata po i afrohet fundit, e kanë të qartë dhe fotografinë finale të zgjedhjeve dhe se LDK-ja nuk e ka arritur rezultatin e menduar.
Ai ka thënë se përkundër që nuk e kanë arritur rezultatin e menduar, LDK-ja është rritur me 70 mijë vota.
“Jo, nuk arritëm rezultatin e menduar. Jo, nuk ndryshuam renditjen që dukej se na ishte parapërcaktuar. Për këtë kam marrë përgjegjësinë mbi supe unë! Por, po, jemi rritur! Dhe atë për plot 70 mijë vota! Si kurrë më parë! Për plot 7 deputetë më shumë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja serish është bërë adresë e qytetarëve.
“Rënia, ajo katastrofalja, është e shpejtë! Shpeshherë dhe fatale. Ringritja, ajo e vështira, është e ngadaltë. Kërkon punë dhe punë shumë! Punë e shpresë dhamë. Po bëhemi, sërish, adresë e 180 mijë qytetarëve tanë. Ecëm drejtë, ecëm mbarë. Mangu asgjë. Do të sillemi me plot dinjitet në gjithë rrugëtimin tonë përpara. LDK, si partia me rritjen më të madhe në këto zgjedhje, ka kthyer tashmë votuesin e vet. Koha të shkojmë përtej kësaj. Do të shkojmë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se do të nis një turne të falënderimit, ku do t’i vizitojë të gjithë ata që e votuan.
“Së shpejti, pas certifikimit të rezultateve, do të nisi ‘Turneun e falënderimit’. Sepse ju kam premtuar! Ju kam dhënë fjalën se nuk do të shihemi vetëm në zgjedhje. Do të takoj gjithë ata që u rreshtuan në thirrjen time për ndryshim. Këtë herë nuk ishim mjaft. Por u bëmë më shumë. Do të bëhemi dhe më shumë!”, ka shkruar Abdixhiku.