Abdixhiku: Në javën e parë, koeficienti 150 euro
Lidhja Demokratike e ka hapur fushatën zgjedhore në kryeqytetin ku ka pushtetin lokal. Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili është edhe kandidat i kësaj partie për kryeministër, premtoi paga më të larta në sektorin publik, e investime miliardëshe
Tubimin hapës të fushatës zgjedhore që e bëri në Prishtinë, për ta kthyer në madhështor, Lidhja Demokratike e Kosovës organizoi transport për simpatizantët nga secili qytet.
Partia e vjetër e mbushi Pallatin e Rinisë me pleq e edhe të rinj.
Flamujt, sidomos ai i Dardanisë nuk munguan, ashtu siç nuk munguan këngët për ish-themeluesin e kësaj partie e ish-presidentin Ibrahim Rugova, tek pritej të hynte kandidati për kryeministër.
Pasi Lumir Abdixhiku mbërriti, hipi në skenë derisa intonohej himni i Kosovës, e të cilit LDK-ja ia shoqëroi edhe një tekst.
Për pak minuta, salla ngjau në kinema që shfaqi momente të liderit historik të partisë.
Pretendenti për kryeministër para se të shpaloste programin politik, u mor me qeverisjen aktuale.
Të pranishmëve iu zotua se s’bëhet si ata.
“Nuk jam këtu të jap premtime që si mbaj, as të ndërtoj një shpresë që do ta thyej më pas pa asnjë ndjenjë. Nuk jam këtu të ju flas për një çerekshekulli të shkuar. Jam këtu për të ardhmen që varet nga vete ne. Dua të jem i vërtetë me ju, jo të ju premtoj bashkim kombëtar e të ju sjell autonomi, as të ju premtoj zhvillim përrallor e të përfundoj me një urë dymetërshe”, ka thënë Abdixhiku.
Për çka s’u punua ndershëm në mandatin qeverisës që po përfundon, i tregoi pasojat.
“Le tu themi cep më cep, paratë e vjedhura do t’i ktheni cent më cent”, theksoi pretendenti i LDK-së për kryeministër.
Në Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga ai, Abdixhiku tha se do të ketë 5 miliardë euro buxhet vjetor, 5 miliardë euro investime e 5 për qind rritje ekonomike vjetore.
Por, tha se puna e parë si kryeministër që do ta bëjë, do të jetë rritja e pagave.
“Që në javën e parë dhe asnjë javë më shumë, të gjithë shërbyesve publikë, të gjithë mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit do t’ua rrisim pagat me koeficient 150. Koeficienti 150 që në javën e parë është zotimi ynë publik”, ka thënë ai.
Me LDK-në në qeverisje Abdixhiku tha se do të ndërtohet spital i ri në vlerë të 500 milionë eurove.
“Për të gjithë qytetarët që bredhin për shërim nëpër botë, për të gjitha familjet këtu në Kosovë do të ndërtojmë spitalin e ri të Kosovës me plot 500 milionë euro investim në të. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja shëndetësi moderne siç e meriton vendi ynë i bukur e përrallor”, premtoi ai.
Për prindërit, tha se do ta themelojmë Ministrinë e Familjes.
Për të porsalindurit mbulim të shpenzimeve deri në vitin e parë, për të vegjlit 80 çerdhe plus, e për nxënësit mësim gjithëditor.
Abdixhiku theksoi se “Kosovës së territ” “do t’i sjell dritë” plani për ndërtimin e një centrali të ri të energjisë me gaz amerikan.
Ai u zotua se Kosova do të ketë mbi 10 mijë policë në bashki e 6 mijë ushtarë në katër kazerma të reja ushtarake.
“Në siguri e mbrojtje do t’i kemi 10 mijë policë, me polici në bashki, pra polic në secilën lagje e vend në Kosovë”, ka thënë kryetari i LDK-së.
Në tubimin hapës të kësaj partie u premtua qendra më e madhe sportive në Bërnicë. Ndërkaq 5 stadiume rajonale të kategorisë tre dhe katër të UEFA-s, u premtua se do të ndërtohen në Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan e Gjakovë.
Abdixhiku u zotua se në Brezovicë dhe Pejë do të ndërtohen dy komplekset më të mëdha turistike sportive.
E për artistët tha se do të bëhet Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri i ri Kombëtar, Muzeu i paqes dhe rezistencës dhe Muzeu i artit bashkëkohor.
Abdixhiku u shpreh i bindur në mbështetjen e diasporës.
“Mbi 40 mijë janë mbështetës të LDK-së”, tha ai.
Mbështetësve në sallë Abdixhiku u premtoi se do t’u prijë drejt fitores.