A mund që Stambolli të rivalizojë Dubain?

3 Min. Leximi

Ndërsa lufta e SHBA dhe Izraelit kundër Iranit që po riformëson gjeopolitikën e rajonit dhe po ekspozon qendrat globale të kapitalit në Gjirin Persik ndaj rrezikut, qeveria turke po kërkon në mënyrë aktive mënyra për të joshur investitorët dhe kompanitë ndërkombëtare me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe që të zhvendosen në Turqi.

Zyrtarët e lartë në Ankara po ofrojnë stimuj të fuqishëm për kompanitë shumëkombëshe, të ngjashme me ato që ofrohen aktualisht në Qendrën Financiare të Stambollit (IFC), me shpresën se frika nga sulmet iraniane ndaj Dubait dhe Abu Dhabit do t’i shtyjë bizneset drejt një porti më të sigurt.

IFC-ja tashmë ofron avantazhe domethënëse ku të ardhurat nga shërbimet financiare të eksportuara janë tërësisht të zbritshme nga tatimi mbi korporatat, ndërsa personeli me përvojë ndërkombëtare përfiton përjashtime nga tatimi mbi pagën deri në 80 për qind.

Në fakt, analistët vërejnë se në letër, këto stimuj janë më konkurrues se ata të Dubait, pasi ky i fundit aplikon një taksë prej 9 për qind për bankat dhe siguruesit.

Megjithatë, ambicia e Turqisë për të rivalizuar Dubain përballet me barriera të forta që lidhen me stabilitetin e brendshëm. Investitorët ndërkombëtarë mbeten të shqetësuar nga inflacioni që parashikohet të jetë rreth 25 për qind këtë vit dhe nga zhvlerësimi i vazhdueshëm i lirës turke, që vështirëson planifikimin afatgjatë.

Një problem jo i vogël mbetet edhe sundimi i ligjit. Ndryshe nga Dubai që përdor të drejtën zakonore angleze dhe gjykata të pavarura, Turqia mbështetet në një sistem ligjor që shihet me mosbesim nga bankierët e huaj.

Në këtë aspekt, edhe takimet e nivelit të lartë, si ai i Presidentit Erdogan me 40 drejtues globalë dhe drejtorin e BlackRock, Larry Fink, nën siglën e Forumit Ekonomik Botëror, shihen si përpjekje për të rikthyer besimin.

Ndërkohë Turqia zotëron një avantazh strategjik që Gjiri nuk e ka: një sektor prodhimi jashtëzakonisht të fortë dhe një treg të brendshëm masiv prej 85 milionë banorësh.

Ekspertët sugjerojnë se nëse Ankaraja fokusohet te bizneset prodhuese kineze dhe te zhvillimi i sektorëve financiarë si sigurimet dhe menaxhimi i pasurisë, ajo mund të krijojë një model unik që nuk bazohet vetëm te taksat e ulëta, por te vlera reale ekonomike.

Analistët vlerësojnë se suksesi i këtij plani do të varet nga aftësia e qeverisë për të garantuar siguri juridike dhe për të ndarë interesat politike nga rregullat e tregut. /tesheshi.com/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull