Sot në në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë ka ndodhur një shpërthim.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha për portalin rtv21.tv se si pasojë e shpërthimit gjashtë vetura janë dëmtuar përderisa nuk raportohet për të lënduar.
Sipas Policisë, rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes ka qenë granatë dore.
“Rreth orës 07:00 është pranuar informata për një shpërthim në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes gjashtë vetura janë dëmtuar përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz”, tha Borovci.
Për ekzaminimin e vendngjarjes rruga është bllokuar për lëvizje, ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit.
Policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Lidhur me rastin zëdhënësja, Laureta ulaj ka thënë se në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit të dyshuarit/ve.
“Në mëngjesin e ditës së sotme është informuar prokurori kujdestar lidhur me këtë rast. Me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, sipas KPRK-së, derisa në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit të dyshuarit/ve”, ka thënë Ulaj./21Media