Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar qytetarët shqiptarë për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Ai e quajti këtë datë një nga më domethënëset e historisë kombëtare shqiptare.
Sipas Gashit, 28 Nëntori është dita kur kujtesa historike, sakrifica dhe dëshira shekullore për liri bashkohen në një simbol që ka mbajtur gjallë identitetin, dinjitetin dhe krenarinë e shqiptarëve brez pas brezi.
“Për shqiptarët, kudo që jetojnë, e në veçanti për ne në Maqedoninë e Veriut, kjo festë na rikthen te ata që e ngritën flamurin”, theksoi Gashi. Ai shtoi se gjuha, kultura dhe identiteti kombëtar janë trashëgimi e çmuar, që duhet ruajtur e përcjellë te brezat e ardhshëm me përgjegjësi, vizion dhe unitet.
Si kryetar i Kuvendit të një vendi ku shqiptarët janë popull shtetformues, Gashi tha se e sheh si përgjegjësi të vazhdueshme angazhimin për barazi, përfaqësim të drejtë dhe forcimin e institucioneve demokratike, ku çdo qytetar ndihet i barabartë dhe i respektuar.
Ai u shpreh i bindur se dashuria për kombin, ruajtja e identitetit dhe përkushtimi ndaj shtetit e shoqërisë “nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”, por plotësohen përmes respektit, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët.
Në fund të urimit, Gashi bëri thirrje që 28 Nëntori të jetë njëherësh ditë krenarie për trashëgiminë dhe zotim për të ardhmen, duke vazhduar të ndërtohet “një e ardhme e dinjitetshme për të gjithë”.
“Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit!”, përfundon urimi i kryeparlamentarit Gashi.

