Zbardhet vrasja pranë Liqenit të Smillkovcës, arrestohet një 38-vjeçar nga Shkupi

2 Min. Leximi

Ministria e Punëve të Brendshme ka zbardhur rastin e vrasjes së 38-vjeçarit nga fshati Lubin, trupi i pajetë i të cilit u gjet më 21 nëntor në afërsi të fshatit Smillkovcës, në Shkup. Në lidhje me rastin është arrestuar një person 38-vjeçar nga Shkupi, ndaj të cilit është ngritur kallëzim penal për veprën penale “vrasje”.

Sipas MPB-së, arrestimi është realizuar më 26 nëntor, pas ndërmarrjes së masave operative-taktike nga pjesëtarët e Njësisë për Krim të Dhunshëm pranë SPB-së Shkup.
Nga Ministria bëjnë të ditur se ngjarja kishte ndodhur më 21 nëntor, kur në afërsi të rrugës së unazës “Nëna Terezë”, pranë fshatit Smillkovcës, ishte gjetur një person pa shenja jete.

“Pas një denoncimi paraprak në SPB Shkup, në rrugën e unazës ‘Nëna Terezë’, në afërsi të fshatit Smillkovc, ishte gjetur një person pa shenja jete. Nëpunësit policorë konstatuan se bëhej fjalë për Sh.E. (38) nga fshati Lubin i Shkupit, te i cili ishte vërejtur një plagë nga arma e zjarrit në pjesën e këmbës. Pranë trupit ishte gjetur edhe një automjet i tipit ‘Mercedes’, me targa të Shkupit, të cilin paraprakisht e kishte drejtuar viktima”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
I dyshuari B.J. (38) është marrë në pyetje nga policia, ndërsa sipas MPB-së, gjatë bisedës zyrtare ai ka sqaruar mënyrën e kryerjes së veprës penale.

“Me B.J. është zhvilluar bisedë zyrtare, gjatë së cilës personi ka sqaruar mënyrën e kryerjes së veprës penale”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
MPB-ja bën të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, më 27 nëntor është dorëzuar kallëzim penal me procedurë të shpejtë ndaj 38-vjeçarit.

Ai dyshohet për veprën penale “vrasje”, sipas nenit 123 të Kodit Penal.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull