1.700 KANDIDATË NË GARË PËR 300 VENDE NË ARMATË!

3 Min. Leximi

Mbi 1.700 kandidatë kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e Armatës së Maqedonisë së Veriut, por vetëm 300 prej tyre do të fitojnë statusin e ushtarit profesionist. Procesi i përzgjedhjes është në fazën përfundimtare dhe do të bazohet në rezultatet e testimeve fizike, kontrolleve shëndetësore dhe intervistave. Ndërkohë, një konkurs i ri për pranimin e ushtarëve profesionistë paralajmërohet edhe për vitin 2027.

Mbi 1.700 aplikantë të interesuar për t’u punësuar në Armatë si ushtarë profesionistë do të konkurrojnë mes tyre për një nga 300 vendet e punës që pritet të plotësohen në bazë të konkursit të hapur nga Ministria e Mbrojtjes për vitin 2026.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, në një prononcim për TV Koha, tha se përzgjedhja do të bëhet në bazë të rezultateve të kandidatëve që do t’i përfundojnë me sukses të gjitha fazat e nevojshme, përfshirë testimet fizike dhe ato shëndetësore.

Ai bëri të ditur se procedura është në fazën finale dhe se përzgjedhja pritet të bëhet së shpejti.

Të gjithë kandidatët të cilët në ditën e përfundimit të konkursit nuk i kanë mbushur 25 vjet, kanë pasur të drejtë të kalojnë në selektimin administrativ dhe të vazhdojnë më tej edhe me fazat e tjera. Faza e dytë është faza e kontrollit të përgatitjes fizike të kandidatëve. Vijon faza e tretë, kontrollet mjekësore, pastaj intervista dhe në fund do të krijohet ranglista e personave që i kanë kaluar të gjitha fazat. Ata do të përzgjidhen në bazë të sistemit të meritokracisë dhe rezultateve të arritura. Do të selektohen 300 anëtarë të rinj të Armatës, në fakt, 300 ushtarë profesionistë.


Shabani foli edhe për një konkurs tjetër, i cili pritet të hapet gjatë vitit 2027, duke theksuar se numri i ushtarëve që do të pranohen do të përcaktohet në bazë të analizave dhe nevojave të Armatës.

Në bazë të të gjitha parashikimeve tona, duke pasur parasysh edhe pensionimin e anëtarëve të Armatës, pensionimin e ushtarëve profesionistë, këto numra do të duhet të zëvendësohen me numra të rinj dhe, kuptohet, që do të kemi edhe konkurs të ri për pranimin e ushtarëve profesionistë. Cili do të jetë numri, do të shohim në momentin e shpalljes së konkursit, duke i pasur parasysh të gjitha analizat dhe të gjithë numrat të cilët na çojnë te numri final i shpalljes së konkursit.


Ndërkohë, ditë më parë u bë e ditur se të gjithë të punësuarit në Armatë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes do të përfitojnë rritje të pagave prej 10 për qind, duke filluar nga janari i vitit 2027./Tv Koha – Shkup/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull