Pas 14 vjetësh të dominimit politik të Aleksandar Vuçiçit, Serbia ka hyrë në një kapitull të ri. Lista Studentore ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke e larguar nga pushteti forcën politike që për më shumë se një dekadë përcaktoi drejtimin e vendit.
Por ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe ndryshim të politikës ndaj Kosovës. Tri intervista të dhëna nga përfaqësues të Listës Studentore, Ilija Srdanoviç, Vlladan Kuzmanoviç dhe Jovo Bakiç, tregojnë se qeveria e ardhshme synon të vazhdojë dialogun me Kosovën, të respektojë marrëveshjet e mëparshme dhe të ndryshojë qasjen ndaj serbëve të Kosovës, por jo ta njohë pavarësinë e saj.
Ilija Srdanoviç, kryesues i Listës Studentore, ka deklaruar për Radio Evropën e Lirë se vazhdimi i dialogut me Kosovën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, mbetet pjesë e planit të tyre politik. Ai ka thënë se qeveria e re do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të arritura nga qeveritë e mëparshme, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e zbatimit të saj.
Megjithatë, Srdanoviç ka theksuar se çdo marrëveshje dhe çdo hap i ardhshëm në raport me Kosovën duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.
Sa i përket mundësisë së ekstradimit të kryeterroristit Milan Radojiçiç në Kosovë, ai nuk ka dhënë përgjigje konkrete, duke thënë se Lista Studentore ende nuk e ka formuar qeverinë dhe se vendimet e tilla do të shqyrtohen më vonë, sipas procedurave ligjore serbe.
Qëndrim më të prerë për statusin e Kosovës ka shprehur Jovo Bakiç, profesor në Fakultetin e Filozofisë në Beograd dhe kandidat për deputet nga Lista Studentore.
Në një intervistë për mediumin malazez Vijesti, Bakiç ka deklaruar se qeveria e re nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, duke u thirrur në Kushtetutën e Serbisë. “Nëse kjo nënkupton njohje ndërkombëtare – kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë ai.
Në vend të njohjes, Bakiç ka paralajmëruar mundësinë e një marrëveshjeje me Kosovën, e cila, sipas tij, do të synonte përmirësimin e jetës së qytetarëve, veçanërisht të komunitetit serb, por edhe të shqiptarëve. Ai nuk ka paraqitur hollësi konkrete për përmbajtjen apo formën e kësaj marrëveshjeje, por ka theksuar se njohja ndërkombëtare e Kosovës mbetet një vijë që Lista Studentore nuk mund ta kalojë.
Ndërkohë, Vlladan Kuzmanoviç, një tjetër përfaqësues i Listës Studentore, ka paralajmëruar ndryshim të politikës së Beogradit ndaj përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë. Në një intervistë për televizionin N1, ai ka kritikuar Listën Serbe, duke thënë se kjo parti duhet t’u shërbejë interesave të komunitetit serb dhe jo Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të lidhur me Aleksandar Vuçiçin.
Sipas Kuzmanoviçit, përparësi duhet të jetë krijimi i kushteve që serbët në Kosovë të jetojnë me dinjitet dhe pa presione politike, veçanërisht në katër komunat veriore. Ai ka paralajmëruar gjithashtu vazhdimin e negociatave me Kosovën, duke e fajësuar qeverisjen e mëparshme serbe për ngecjen e procesit.
Përveç marrëdhënieve me Kosovën, Lista Studentore synon ta vazhdojë procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Srdanoviç ka deklaruar se prioritetet e qeverisë së re do të jenë sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, forcimi i institucioneve dhe liria e medias.
Ndërsa për marrëdhëniet me Rusinë, përfshirë mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Moskës, ai nuk ka dhënë një qëndrim përfundimtar. Sipas tij, vendime të tilla duhet të merren pas një debati të hapur dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve serbë.

