Jeton Shasivari, Ministër i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut
Me rastin e Ditës Evropiane të Drejtësisë, dua të ritheksoj se drejtësia është themeli i shtetit të së drejtës, mbrojtëse e lirisë dhe dinjitetit të çdo njeriu, si dhe dëshmia më e fuqishme e pjekurisë së institucioneve tona.
Si ministër i Drejtësisë dhe profesor universitar, besoj se pa një gjyqësor të pavarur, prokurori profesionale dhe institucione të përgjegjshme, nuk mund të ketë siguri juridike, barazi dhe besim të vërtetë.
Përkushtimi im është të ndërtojmë një sistem drejtësie ku ligji qëndron mbi çdo interes, ku drejtësia nuk varet nga pushteti i askujt dhe ku çdo qytetar gëzon mbrojtje dhe trajtim të barabartë para ligjit.
Na nevojitet një gjyqësor që vendos në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe brenda një afati të arsyeshëm, një prokurori që vepron me profesionalizëm dhe pa selektivitet, si dhe institucione që besimin e qytetarëve e arsyetojnë me rezultate konkrete
Besimi në drejtësi nuk kërkohet, ai fitohet. Jo me deklarata, por me vepra. Jo me premtime, por me rezultate. Prandaj, suksesin e reformave nuk do ta masim vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, por me ndryshimet që qytetarët do t’i ndiejnë në jetën e tyre.
E ardhmja jonë evropiane kërkon institucione që funksionojnë sipas standardeve evropiane, zbatim të qëndrueshëm të reformave dhe përgjegjësi pa përjashtim. Kjo është, para së gjithash, detyrimi ynë ndaj qytetarëve.
Drejtësia është obligim. Përgjegjësia është detyrë. Besimi fitohet.
Urime 25 Tetori, Dita Evropiane e Drejtësisë!

