Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”, me numër 17 në fletëvotim.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se shqiptarët e këtyre tri komunave kanë të drejtë të ndërtojnë jetën në vendlindje dhe të kenë mundësi të barabarta.
Ai ka vlerësuar se diskriminimi, përjashtimi dhe shtypja kërkojnë një përgjigje demokratike, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.
“Gjithë ju që ndodheni në Kosovë dhe keni të drejtë vote në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë duhet të jeni nesër në vendlindje për të votuar”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje edhe bashkëkombësve që jetojnë në Luginën e Preshevës të dalin në votime dhe të mbështesin listën e përbashkët të subjekteve politike shqiptare.
Kurti ka bërë të ditur se më 29 shtator kishte pritur në zyrën e tij drejtuesit e subjekteve politike shqiptare, takim që, sipas tij, përfundoi me marrëveshjen për garim të përbashkët në listën “Koalicioni Shqiptar”.
“Fletëvotimi peshon pak në dorë, por vendimi peshon mbi të ardhmen”, ka përfunduar Kurti./Telegrafi/

