Ali Ahmeti për protestat në Tiranë: Shqipëria që digjet është Shqipëria e të gjithëve

3 Min. Leximi

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar për zhvillimet e fundit dhe përshkallëzimin e protestave në Tiranë, duke u bërë thirrje klasës politike shqiptare, studentëve dhe protestuesve për maturi, dialog dhe përgjegjësi, transmeton Zyrtare.

Ahmeti vlerëson se situata kërkon reflektim urgjent dhe tejkalim të interesave partiake, duke theksuar se interesi i Shqipërisë dhe i qytetarëve duhet të jetë mbi çdo konsideratë tjetër.

“Në këtë moment delikat, kur situata ka mbërritur në një pikë që kërkon vëmendje dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme, politika shqiptare duhet të dëshmojë maturi, urtësi dhe vetëdije të lartë për interesin e përbashkët”, ka shkruar Ahmeti.

Ai u ka bërë thirrje studentëve dhe protestuesve që kërkesat e tyre t’i shprehin në mënyrë dinjitoze dhe të mos lejojnë që përplasjet të zbehin mesazhin e protestës.

“Shkatërrimi nuk është zgjidhje, pas çdo biznesi qëndrojnë puna, mundi dhe sakrifica e njerëzve. Forca e një proteste qëndron te qartësia e kërkesave, këmbëngulja qytetare dhe besnikëria ndaj parimeve demokratike”, ka theksuar ai.

Ahmeti ka nënvizuar gjithashtu përgjegjësinë e institucioneve shtetërore dhe të policisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke kërkuar paanshmëri, profesionalizëm dhe respektim të të drejtave themelore të qytetarëve.

Sipas tij, asnjë formë dhune, nga cilado palë, nuk mund të jetë përgjigje ndaj krizës, ndërsa përplasjet nuk mund ta zëvendësojnë dialogun.

Duke iu referuar synimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Ahmeti ka theksuar rëndësinë e respektimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve.

“Shqipëria nuk është pronë e askujt, por atdheu i të gjithëve”, ka shkruar Ahmeti, duke shtuar se Shqipëria është atdheu i të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve të saj.

Në fund, kreu i BDI-së ka bërë thirrje për një reflektim të gjerë dhe angazhim të përbashkët për tejkalimin e situatës, duke theksuar se përgjegjësia për të ardhmen e vendit u takon të gjithëve.

“Le të mbizotërojnë dialogu mbi përplasjen dhe e ardhmja e Shqipërisë mbi çdo gjë tjetër. Kjo nuk është koha për të thelluar ndasitë, por për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka përfunduar Ahmeti.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull