Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim me dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe përfaqësuesit e Programit Studimor Sport dhe Shkenca Sportive të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, ku është diskutuar iniciativa për organizimin e Universiadës Mbarëkombëtare “Çair 2026”, në kuadër të Festave të Nëntorit.
Universiada synon të mbledhë studentë dhe universitete nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, duke krijuar mundësi për gara sportive, shkëmbim përvojash dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet të rinjve shqiptarë.
Sipas Mexhitit, kjo nismë synon t’u japë Festave të Nëntorit një dimension të ri, duke e shndërruar sportin në një urë bashkëpunimi dhe afrimi ndërmjet studentëve dhe institucioneve të arsimit të lartë.
Kryetari i Çairit theksoi se ambicia është që Universiada të shndërrohet në një traditë të përvitshme, duke e vendosur Çairin në kalendarin e aktiviteteve universitare dhe duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin dhe angazhimin e të rinjve.
“Nëntori na bashkon përmes historisë, ndërsa sporti na afron drejt së ardhmes!”, theksoi Mexhiti.

