Ali Ahmeti: Bërvenica po zgjedh dinjitetin dhe të ardhmen!

1 Min. Leximi

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në tubimin përmbyllës të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Bërvenicë, u bëri thirrje qytetarëve që më 18 tetor të votojnë për, siç tha, dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Duke folur para banorëve të kësaj komune, Ahmeti theksoi rëndësinë e votës, duke u shprehur se “plumbi vret një njeri, ndërsa vota e adresuar gabimisht vret gjithë ardhmërinë”.

Në një postim në Facebook, Ahmeti e cilësoi fushatën e kandidatit të AKI-së për kryetar të Bërvenicës, Arkin Jahiji, si dinjitoze, cilësore dhe përmbajtjesore.

Ai shprehu bindjen se banorët e Bërvenicës do të vlerësojnë punën, vizionin dhe përkushtimin e kandidatit të tyre, duke theksuar se më 18 tetor do t’i japin mbështetje Arkin Jahijit dhe AKI-së.

“Kjo mbështetje është pjesë e një besimi që rritet çdo ditë, duke e shndërruar alternativën tonë politike në forcën dominuese dhe në shpresën e qytetarëve për ndryshim, dinjitet dhe perspektivë në mbarë Maqedoninë e Veriut”, shkroi Ahmeti.

Ai e përmbylli mesazhin me thirrjen për fitore të kandidatit të AKI-së, Arkin Jahiji, në zgjedhjet lokale të 18 tetorit.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull