Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka publikuar një njoftim për mundësinë e aplikimit për grante deri në 70.000 euro për mediat e pavarura në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të programit rajonal SustainMedia, i cili synon mbështetjen e lirisë dhe pluralizmit të mediave në Ballkanin Perëndimor.
Programi financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ndërsa zbatohet nga GIZ, në bashkëpunim me DW Akademie.
Thirrja për aplikime përfshin dy kategori financimi. Kategoria e parë ofron grante deri në 70.000 euro për projekte që synojnë zhvillimin e biznesit mediatik, transformimin digjital, diversifikimin e të ardhurave dhe zgjerimin e audiencës. Projektet në këtë kategori mund të zgjasin deri në 24 muaj.
Kategoria e dytë ofron grante deri në 20.000 euro për projekte gazetareske që trajtojnë demokracinë dhe integrimin evropian, si dhe çështjet e klimës, mbrojtjes së mjedisit dhe tranzicionit të gjelbër. Kohëzgjatja e projekteve mund të jetë deri në 12 muaj.
Të drejtë aplikimi kanë mediat private të pavarura dhe mediat jofitimprurëse që përmbushin kriteret e përcaktuara në thirrje, përfshirë standardet profesionale dhe etike dhe transparencën e pronësisë. Çdo organizatë mund të paraqesë vetëm një aplikim në njërën nga dy kategoritë.
Një sesion informues online do të mbahet më 20 tetor 2026, në orën 10:00, ndërsa afati i fundit për aplikim është 8 nëntori 2026.
Aplikimet dhe dokumentacioni përkatës duhet të dërgohen në adresën elektronike [email protected].
Kriteret e plota dhe formularët e aplikimit janë të disponueshëm në faqen zyrtare të programit:
https://www.wb6media.eu/en/call-for-project-proposals-for-independent-media-organisations

