Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, gjatë qëndrimit në Luksemburg, ka kërkuar përfshirjen e vendeve kandidate që nga fillimi në Qendrën Evropiane për Reziliencë Demokratike. Kërkesën e ka paraqitur në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Sali theksoi se dezinformimi, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride kërkojnë bashkëpunim të përbashkët, ndërsa nënvizoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të kontribuar aktivisht në mekanizmat evropianë të mbrojtjes.
“Sot, në Lluksemburg, në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, theksova se vendet kandidate duhet të përfshihen që nga fillimi në Qendrën Evropiane për Reziliencë Demokratike.
Dezinformimi, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride nuk njohin kufij. Maqedonia e Veriut dëshiron të jetë jo vetëm përfituese e mekanizmave evropianë të mbrojtjes, por edhe kontribuuese aktive në to.
Kemi nisur përgatitjet për pjesëmarrje substanciale: Ministria e Drejtësisë është caktuar koordinuese dhe janë emëruar pikat e kontaktit.
Integrimi gradual i vendeve kandidate e forcon Evropën që sot – me më shumë siguri, qëndrueshmëri demokratike dhe unitet”, ka shkruar Sali.
Zv/kryeministri Bekim Sali: Demokracia dhe siguria e Evropës kërkojnë veprim të përbashkët

Ndani këtë artikull
