Gjykata Speciale ka sqaruar për Albanian Post se e gjithë koha e kaluar në paraburgim që nga viti 2020 u llogaritet në dënimin e tyre
Janë bërë më shumë se një javë që nga shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjyqtari Charles Smith, gjatë shpalljes së aktgjykimit më 16 shtator, bëri të ditur se kohës së dënimit të katër të dënuarve do t’u llogaritet edhe periudha që kanë kaluar në paraburgim.
Gjykata Speciale, në një përgjigje për Albanian Post, ka sqaruar se llogaritja e kohës së vuajtur nis nga dita e arrestimit dhe se asnjë periudhë që nga ajo kohë nuk përjashtohet nga llogaritja.
Kështu, Jakup Krasniqi është ai që ka kaluar më së shumti kohë në paraburgim. Ai u arrestua më 4 nëntor 2020 dhe deri më 16 shtator 2026 ka kaluar gjithsej 5 vjet, 10 muaj dhe 12 ditë në paraburgim. Ndërkaq, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u arrestuan më 5 nëntor 2020 dhe deri më 16 shtator 2026 kanë kaluar nga 5 vjet, 10 muaj dhe 11 ditë në paraburgim.
Kjo periudhë zbritet nga dënimi i shqiptuar për secilin prej tyre në shkallën e parë. Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim. Duke zbritur 5 vjet, 10 muaj dhe 11 ditë të kaluar në paraburgim, atij i mbeten për të vuajtur 19 vjet, 1 muaj dhe 19 ditë. Krasniqi është dënuar me 25 vjet burgim. Pas zbritjes së 5 vjetëve, 10 muajve dhe 12 ditëve të kaluar në paraburgim, atij i mbeten 19 vjet, 1 muaj dhe 18 ditë burgim.
Kurse, Veseli është dënuar me 18 vjet burgim. Duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, atij i mbeten 12 vjet, 1 muaj dhe 19 ditë për të vuajtur. Po ashtu, Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Pas zbritjes së 5 vjetëve, 10 muajve dhe 11 ditëve të kaluar në paraburgim, atij i mbeten 7 vjet, 1 muaj dhe 19 ditë burgim. Megjithatë, këto llogaritje vlejnë nëse dënimet e shqiptuara nga Trupi Gjykues mbeten të pandryshuara pas procedurës së apelit.
Gjykata Speciale ka sqaruar gjithashtu se, pasi një i burgosur të ketë vuajtur dy të tretat e dënimit, ai bëhet i pranueshëm për shqyrtimin e mundësisë që dënimi të modifikohet, ndryshohet ose zëvendësohet. Kjo, megjithatë, nuk përbën të drejtë automatike për zbutje apo ndryshim të dënimit.

