Sektori për Punë të Brendshme Shkup, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, gjatë natës ka zhvilluar kontrolle në disa objekte hotelierike në Shkup.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë kontrolleve janë identifikuar gjithsej 37 persona, ndërsa tetë prej tyre janë privuar nga liria. Në mesin e personave të ndaluar, sipas MPB-së, kanë qenë edhe tre të mitur.
“Sektori për Punë të Brendshme Shkup, në bashkëpunim me inspektorë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, gjatë natës ka kryer kontroll në disa objekte hotelierike në Shkup. Gjatë kontrollit janë identifikuar 37 persona dhe janë privuar nga liria tetë persona, prej të cilëve tre të mitur”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Kontrollet kanë zbuluar edhe shkelje të orarit të punës. Në dy prej objekteve të kontrolluara është konstatuar se ishte tejkaluar orari i lejuar i punës.
Ndërkohë, në një objekt është konstatuar edhe servirja e alkoolit për persona të mitur.
Sipas policisë, gjatë kontrollit janë evidentuar gjithashtu persona që posedonin droga narkotike, substanca psikotrope dhe prekursorë.
MPB-ja njofton se kontrollet aksionare në objektet hotelierike do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.
“Kontrollet aksionare vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme”, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

