Ekonomia e Maqedonisë së Veriut po shënon përmirësim, ndërsa inflacioni dhe aktiviteti industrial tregojnë, sipas ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, se masat ekonomike po japin rezultate.
Durmishi ka bërë të ditur se inflacioni në gusht ka zbritur në 2.6 për qind, duke theksuar se kjo është një normë më e ulët se ajo e vlerësuar për eurozonën, prej 3.3 për qind.
Ministri e ka krahasuar situatën aktuale edhe me gushtin e vitit 2022, kur inflacioni në vend kishte arritur në 16.8 për qind.
“Ekonomia po stabilizohet, ndërsa rezultatet janë të dukshme. Të dhënat e fundit konfirmojnë se Maqedonia e Veriut po arrin të mbajë nën kontroll rritjen e çmimeve”, ka deklaruar Durmishi.
Sipas tij, përmirësimi nuk kufizohet vetëm te stabilizimi i çmimeve. Të dhënat për prodhimin industrial tregojnë gjithashtu rritje të aktivitetit ekonomik.
“Rritja e prodhimit industrial prej 1.3 për qind në korrik, si dhe rritja prej 0.9 për qind në shtatë muajt e parë të vitit, tregojnë se aktiviteti ekonomik vazhdon të lëvizë në drejtim pozitiv”, ka theksuar ministri.
Durmishi ka thënë se prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës mbeten forcimi i ekonomisë, rritja e konkurrueshmërisë dhe krijimi i vendeve më të mira të punës.
“Fokusi im është i qartë: ekonomi e qëndrueshme, ekonomi konkurruese, më shumë investime, vende më të mira të punës dhe standard më i lartë jetese për qytetarët”, ka deklaruar Durmishi.
Ai ka theksuar se rezultatet ekonomike nuk arrihen menjëherë, por janë rezultat i politikave të vazhdueshme, mbështetjes së bizneseve dhe krijimit të kushteve për rritje ekonomike.
“Rezultatet nuk vijnë brenda natës. Ato janë rezultat i politikave të vazhdueshme dhe të përgjegjshme, mbështetjes së biznesit dhe krijimit të kushteve për rritje të re ekonomike”, ka thënë ministri.
Në fund, Durmishi ka theksuar se Qeveria do të vazhdojë të punojë jo vetëm për ruajtjen e stabilitetit ekonomik, por edhe për krijimin e një ekonomie më të fuqishme dhe më konkurruese në të ardhmen.

