Çarshia e Vjetër në Gjevgjeli është rikonstruktuar tërësisht me një investim prej 41 milionë denarësh, ndërsa sot po rikthehet në funksion si hapësirë kulturore dhe turistike.
Ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, si dhe kryetarin e Komunës së Gjevgjelisë, Andon Saramandov, vizituan Çarshinë e Vjetër pas përfundimit të punimeve.
Sulejmani theksoi se bëhet fjalë për një monument kulture që është i regjistruar që nga viti 2004 dhe që tashmë ka rikthyer pamjen dhe rëndësinë e tij.
“Ky monument kulture, i regjistruar që nga viti 2004, sot po e rifiton pamjen dhe rëndësinë e merituar”, deklaroi Sulejmani.
Në kuadër të projektit janë restauruar fasadat e dyqaneve të vjetra, është realizuar shtrimi i ri me granit, janë vendosur pajisje urbane dhe ndriçim i ri, ndërsa është rikonstruktuar tërësisht edhe infrastruktura nëntokësore.
Sipas ministrit, qëllimi nuk është vetëm ruajtja e një dëshmie historike, por shndërrimi i Çarshisë së Vjetër në një hapësirë të gjallë për qytetarët, aktivitetet kulturore dhe turistët.
“Synimi ynë është që Çarshia e Vjetër të mos mbetet vetëm dëshmi e së kaluarës, por të jetë hapësirë e gjallë kulturore dhe turistike, e hapur për qytetarët, ngjarjet kulturore dhe vizitorët”, tha ai.
Sulejmani shtoi se investimet në trashëgiminë kulturore kanë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik dhe turistik të qytetit.
“Duke investuar në trashëgiminë kulturore, investojmë edhe në zhvillimin lokal, turizmin dhe krijimin e mundësive të reja për Gjevgjelinë”, theksoi ministri.
Ai paralajmëroi se institucionet do të vazhdojnë me projekte konkrete për mbrojtjen dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore.
“Çarshia e Vjetër sot është e rinovuar, por mbi të gjitha – po jeton sërish!”, përfundoi Sulejmani.

