ASH: Diskriminim, mbi 30 artistë për festën e pavarësisë, asnjë shqiptarë

2 Min. Leximi

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ditë më parë tha se buxheti i shtetit mbushet nga të gjitha etnitë që jetojnë në vend. Por, duket se kjo nuk vlen edhe për skenën ku do të mbahet koncerti për Ditën e Pavarësisë.

Për këtë, kanë reaguar nga Aleanca për Shqiptarët, të cilët theksojnë se mbi 30 artistë në skenën qendrore për festën e Pavarësisë në Shkup, po nuk ka asnjë shqiptar. Sipas tyre, ky nuk është lëshim por është përjashtim. Nga partia e Taravarit, nuk kanë munguar as edhe kritikat ndaj VLEN-it.

ALEANCA PËR SHQIPTARËT

“Shqiptarët mungojnë nga koncerti shtetëror, mungojnë nga promovimi, mungojnë nga fotografia zyrtare e shtetit. Ndërkohë VLEN rri në Qeveri dhe sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për çfarë ju duhen shqiptarëve ministrat, zëvendësministrat, drejtorët dhe funksionarët e VLEN-it, nëse nuk arrini të siguroni as përfaqësim elementar në festën e shtetit ku bashkëjetojmë?”.

Edhe më fyese, sipas ASH-së, është tentativa për ta mbuluar skandalin me arsyetimin se në Tetovë do të ketë artistë shqiptarë. Nga ASH kërkojnë që shqiptarët të trajtohen si pjesë e barabartë e shtetit dhe jo vetëm si numra që kontribuojnë në buxhet, por që anashkalohen kur bëhet fjalë për manifestimet shtetërore.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull