Janevska paralajmëron masa ndëshkuese edhe për prindërit: Do të krijohet sistem për parandalimin e dhunës në shkolla
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, paralajmëroi aktivitete të vazhdueshme për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe krijimin e një sistemi të qëndrueshëm që do të veprojë në mënyrë parandaluese.
Ajo theksoi se Qeveria ka ndërmarrë disa projekte, ndryshime ligjore dhe masa nëpër shkolla, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës mes nxënësve.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e sallës së re sportive në SHFK “Vëllazërimi”, Janevska tha se bëhet fjalë për një sërë aktivitetesh që Ministria po i ndërmerr për luftimin e kësaj dukurie.
“E dini se kemi parashikuar shumë aktivitete për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve, gjë që më parë nuk ka qenë kështu. Kjo është Qeveria e parë që i ka kushtuar kaq shumë vëmendje kësaj çështjeje. Kemi ndërmarrë projekte dhe ndryshime ligjore, si dhe kemi bërë ndryshime në shkolla lidhur me kujdestarinë e mësimdhënësve dhe kujdesin ndaj nxënësve. Janë parashikuar edhe masa ndëshkuese për prindërit, fëmijët e të cilëve e përsërisin dhunën ndaj bashkëmoshatarëve”, deklaroi Janevska.
Sipas saj, aktualisht po zhvillohen bisedime me shërbimet e Qytetit të Shkupit, ndërsa më pas do të bisedohet edhe me kryetarin e Qytetit.
“Këto do të jenë projekte të vazhdueshme. Qëllimi është që të mos mbeten vetëm projekte në letër, por të krijohet një sistem i qëndrueshëm, i cili do të veprojë vazhdimisht për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve”, theksoi Janevska.

