Projektet infrastrukturore të premtuara për Komunën e Çairit po hyjnë njëri pas tjetrit në fazën e realizimit. Javën e ardhshme pritet të nisë ndërtimi i bulevardit “Mit’hat Frashëri”, një nga projektet kryesore infrastrukturore në këtë pjesë të Shkupit.
Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, kanë inspektuar sot në terren segmentin ku do të zhvillohen punimet.
“Një nga një, po i realizojmë projektet që i kemi premtuar për Çairin. Javën e ardhshme nis edhe një prej projekteve kryesore infrastrukturore, bulevardi ‘Mit’hat Frashëri’”, deklaroi Mexhiti.
Sipas tij, përgatitjet në terren kanë përfunduar dhe pikat për zhvillimin e punimeve tashmë janë vendosur.
Bulevardi do të shtrihet në një gjatësi prej më shumë se 1.4 kilometrash, nga rruga “Xhon Kenedi” deri te bulevardet “Sllovenia” dhe “Bosnja e Hercegovina”. Projekti parashikon katër korsi qarkullimi, trotuare, infrastrukturë për biçikleta, kanalizim atmosferik dhe ndriçim të ri publik.
Mexhiti e cilësoi projektin si një ndërhyrje të rëndësishme për Çairin, duke theksuar se ai pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe infrastrukturën në këtë pjesë të komunës.
“Ky është një projekt i madh për Çairin, që do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe infrastrukturën në këtë pjesë të komunës”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se puna do të vijojë edhe me projektet e tjera të planifikuara, duke theksuar se shumica e zotimeve të dhëna para qytetarëve tashmë janë në fazën e realizimit.
“Dhe kështu do të vazhdojmë, projekt pas projekti, deri në realizimin e plotë të asaj që u kemi premtuar qytetarëve të Çairit. Shumica e projekteve tashmë po përfundojnë dhe nuk ka mbetur edhe shumë deri në përmbushjen e plotë të zotimeve tona”, përfundoi Mexhiti.

