Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit mes Komunës së Çairit dhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, me fokus shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Bashkëpunimi do të realizohet në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”, përmes ligjëratave dhe aktiviteteve profesionale në shkollat e komunës.
Nxënësit do të informohen për rëndësinë e qëndrimit të drejtë, mënyrën e duhur të mbajtjes së çantës shkollore dhe aktivitetit fizik, me synim parandalimin e problemeve shëndetësore që në moshë të hershme.
Mexhiti theksoi se qëllimi është që kujdesi për shëndetin të nisë para se të shfaqet problemi, duke i pajisur fëmijët jo vetëm me dije akademike, por edhe me njohuri për kujdesin ndaj shëndetit gjatë rritjes.

