Avdullah Hoti nuk do ta votojë Bekim Sejdiun për President

2 Min. Leximi

Ky lajm është përditësuar.

“Jo”, kështu ka thënë deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, kur është pyetur se a do ta votojë Bekim Sejdiun për President.

Kështu ka thënë Hoti në një përgjigje për gazetën Express, pasi që Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, njoftuan se kanë arritur marrëveshje që Sejdiu të jetë kandidat i tyre për President.

Më pas, Hoti reagoi edhe publikisht përmes një postimi në Facebook, ku bëri të ditur arsyet se pse nuk e përkrah Sejdiun.

Ai theksoi se nuk e mbështet këtë kandidaturë, jo për arsye personale, “por për një parim politik dhe institucional”.

“Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter”, pohon Hoti.

Në gjykimin e tij, kjo kandidaturë “nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj”. “Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike”.

“LDK duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së”, shtoi ai.

Sejdiu është ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai ka qenë gjyqtari raportues në rastin KO95/20, pikërisht rasti që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Hotit, më 2022-në.

Se Abdixhiku dhe Kurti ishin pajtuar për emrin e Sejdiut, VOX Kosova raportoi të shtunën.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull