Faruk Nevzati ka publikuar një informacion të rëndësishëm për banorët e Komunës së Butelit, duke bërë të ditur se për ndryshimin e vendbanimit nuk është patjetër e nevojshme posedimi i certifikatës së pronësisë, përkatësisht fletës së pronësisë.

Sipas tij, me ndryshimet e fundit në Ligjin për paraqitjen e vendbanimit dhe vendqëndrimit të qytetarëve, mundësinë për ndryshimin e adresës e kanë edhe qytetarët që ende nuk e kanë përfunduar procedurën e legalizimit të shtëpive të tyre.
Kjo mundëson që banorët të regjistrojnë vendbanimin në komunën ku jetojnë realisht dhe, me këtë, të realizojnë edhe të drejtën e votës në komunën përkatëse.
Nevzati thekson se kjo është veçanërisht e rëndësishme për banorët e disa lagjeve të Butelit, të cilët prej vitesh nuk kanë arritur t’i legalizojnë shtëpitë e tyre dhe për këtë arsye janë përballur me vështirësi gjatë ndryshimit të adresës.
Sipas sqarimit të tij, me një vërtetim me shkrim të lëshuar nga komuna, me të cilin konfirmohet ekzistimi i objektit të ndërtuar pa leje dhe adresa e tij, qytetarit mund t’i mundësohet realizimi i të drejtës për ndryshimin e vendbanimit.
Në ditët në vazhdim, Nevzati ka paralajmëruar se do të publikojë edhe formularët e nevojshëm për ndryshimin e vendbanimit, kërkesën për marrjen e vërtetimit nga komuna, si dhe pjesën e dispozitës ligjore që mundëson ndryshimin e adresës.

