Komunikata e VLEN-it
Pas reagimit të djeshëm të VLEN-it, pritëm një përgjigje nga Ali Ahmeti dhe BDI-ja. Ajo nuk erdhi. Përballë tragjedisë së 14 viktimave në Tetovë, heshtja e tyre vazhdon.
Ndërkohë, dalin në pah edhe më shumë pyetje rreth mënyrës se si Prokuroria arriti në përfundimin për mbylljen e procedurës për prokurimet e 19 spitaleve modulare. Islam Abazi, i cili sot drejton Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duhet t’i japë publikut një shpjegim të qartë dhe të plotë për këtë epilog.
Ali Ahmeti, nga ana tjetër, nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek politikisht BDI-në. Tragjedia ndodhi në kohën kur partia e tij ishte në pushtet, ndërsa sot, pas pesë vitesh hetim, familjet e viktimave ende përballen me pikëpyetje të mëdha.
Dje kërkuam përgjigje. Sot kërkojmë edhe më shumë transparencë. Sepse mbyllja e një procedure nuk i mbyll pyetjet dhe heshtja e Ali Ahmetit nuk e mbyll përgjegjësinë politike.
VLEN do të vazhdojë ta mbajë këtë çështje të hapur në opinion publik, derisa të ketë përgjigje të qarta për 14 jetët e humbura në Tetovë.

